Shqipëria drejton për herë të parë Sesionin e 71-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Europën, i cili po zhvillon punimet në Kopenhagen të Danimarkës, me pjesëmarrjen e drejtuesve të shteteve dhe Ministra të Shëndetësisë të 53 vendeve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në cilësinë e Presidentes, ku për herë të parë ky pozicion i rëndësishëm i takon Shqipërisë, propozuar nga OBSH dhe miratuar nga të gjithë vendet anëtare të Komitetit Rajonal, po drejton këtë takim të nivelit të lartë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19 dhe mësimet e nxjerra.
“E nderuar dhe e privilegjuar për mundësinë që Komiteti Rajonal i OBSH-së për Europën i dha Shqipërisë, për të drejtuar Sesionin e 71-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Europën, që po zhvillohet në Kopenhagen” – u shpreh Ministrja Manastirliu pas zgjedhjes në këtë Sesion të Komitetit të OBSH për Europën.
Drejtues të shteteve dhe ministra të shëndetësisë së 53 vendeve, drejtori i OBSH dr. Tedros Adhanom, drejtori i OBSH për Europën dr. Hans Kluge, me pjesëmarrjen e veçantë të Princeshës së Kurorës së Danimarkës dhe ekspertëve më të njohur botëror, dr. Fauci, prof. Monti, po diskutohet për mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19, për të ridimensionuar qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, nën dritën e pandemisë.
Ridimensionimi i kujdesit parësor, investimi për adresimin e problemeve të shëndetit mendor, Agjenda e Imunizimit 2030 dhe zbutja e pabarazive për aksesin në vaksina, janë në fokus të diskutimeve që po zhvillohen në Kopenhagen, në takimin më të rëndësishëm vjetor të Shëndetësisë për Europën, i cili zhvillon punimet nga datat 13-15 Shtator.