Sllovenia ka dekretuar detyrimin e vaksinimit kundër COVID-19 për punonjësit e saj të shërbimit publik, një masë që synon të rrisë shkallën e imunizimit dhe të parandalojë një valë të re infektimesh. Masa, që do të hyjë në fuqi nga fillimi i tetorit, prek rreth 31 000 punonjës në këtë vend të Evropës Qendrore. Zyrtarët, oficerët e policisë ose ushtarët rrezikojnë të humbasin punën, nëse refuzojnë të vaksinohen, përveç nëse ata tashmë janë shëruar nga virusi dhe mund të paraqesin një provë antitrupash.
“Unë po llogaris mirëkuptimin e punonjësve dhe shpresoj se nuk do të na duhet të marrim masa”, tha ministri i Shërbimit Civil, Bosjtan Koritnik, në një konferencë shtypi.
Deri më tani, vetëm 45 për qind e popullsisë sllovene është e vaksinuar, një nga nivelet më të ulëta në Bashkimin Evropian, ndërsa vendi ka një vdekshmëri relativisht të lartë, në krahasim me partnerët e tij, me gati 5 000 vdekje që nga shfaqja e pandemisë për më pak se dy milionë banorë. Përballë kësaj situate, qeveria konservatore e Janez Jansa-s ka vendosur, gjithashtu, të forcojë kufizimet shëndetësore.