Nga Italia ku mori pjesë në një ceremoni në Otranto, pranë skulpturës “Katëri i Radës”, kryeministri Edi Rama e vuri theksin te strehimi i afganëve në Shqipëri, ndërsa nuk kurseu falënderimet për mikpritjen që iu bë shqiptarëve nga italianët në fillim të viteve 90-të.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë shqiptare theksoi se sot është radha e Shqipërisë që të hapë dyert për vendet mike që kanë nevojë dhe këtë sipas tij e ka treguar duke strehuar më shumë shtete të tjera të Europës. Sipas kreut të qeverisë kjo nderon historinë e vendit, por edhe humanizmin që duhet t’ua lëmë trashëgimi fëmijëve.

“Fakti është që Shqipëria duhet të presë më shumë refugjatë afganë sesa shumë vende të pasura, por ne nuk e bëjmë këtë për asnjë arsye tjetër veçse për të nderuar historinë tonë, gjyshërit tanë, të cilët bënë që të ishte vendi i vetëm në Evropë që strehoi më shumë hebrenj.

Ka pasur shqiptarë që kanë vdekur në kampet e përqendrimit, sepse kanë mbrojtur me jetën e tyre, apo morën mbi vete duke mbrojtur duke thënë se ishin ata hebrenjtë. Është e rëndësishme që ta bëjmë këtë sot për fëmijët tanë. Vendi ynë nuk është vend i pasur, por kjo sipas mendimit tim është një pasuri shumë e rëndësishme që duhet të trashëgohet nga fëmijët tanë humanizmi. Toka u përket atyre që do të vijnë pas nesh.

Shtëpia e shqiptarit është shtëpia e Zotit dhe e mikut, përkthimi perfekt do të ishte është shtëpia e Zotit dhe udhëtarit. E ti je i detyruar që t’i hapësh derën udhëtarit. Është një kapitull i tërë në Kanunit tonë që flet për mikpritjen”.

Kryeministri Rama ndodhet në Itali ku u prit nga Kryetari i Bashkisë së Otrantos, në ceremoninë përkujtimore të Otrantos. Në 28 marsin e vitit 1997, anija “Kateri i Radës”, u godit nga një anije e forcave detare italiane, ku humbën jetën 83 persona. Anija “Kateri i Radës” është kthyer tashmë në monument kulture.