Të gjithë stresohemi herë pas here, por ekspertët kanë paralajmëruar se duhet ta kontrollojmë këtë gjendje nëse duam të shmangim sëmundjet vdekjeprurëse.

Studiuesit thonë se ekziston një lidhje e madhe mes mendjes dhe zemrës kur bëhet fjalë për shëndetin dhe mirëqenien. Ndërsa stresi ndikon te të gjithë në mënyra të ndryshme, në raste të rënda stresi mund të çojë në goditje në tru ose sulme në zemër, shkruan “The Sun”.

Ekspertët thonë se niveli i lartë i hormoneve të stresit lidhet me një rrezik më të madh të presionit të lartë të gjakut.

Mbi 6,000 njerëz u studiuan dhe u testuan për nivele të ndryshme të hormoneve që kontribuojnë në stres. Nivelet e hormoneve u matën me një test urine 12-orësh gjatë natës.

Pjesëmarrësit më pas u vëzhguan për një periudhë prej 13 vjetësh dhe u monitoruan për zhvillimin e hipertensionit dhe problemeve kardiovaskulare, të tilla si dhimbja në gjoks, nevoja për një procedurë të hapjes së arteries, ose të paturit e një sulmi në zemër ose goditje në tru.

Ekspertët më pas analizuan marrëdhënien midis hormoneve të stresit dhe zhvillimit të arteriosklerozës, e cila është një gjendje potencialisht serioze ku arteriet bllokohen me substanca yndyrore.

Ata zbuluan se mesatarisht pas një vëzhgimi gjashtë vjeçar e gjysmë, pacientët hormonet e stresit të të cilëve u dyfishuan kishin deri në 31 për qind më shumë gjasa për të zhvilluar hipertension.

Gjatë një periudhe 11-vjeçare, u rrit rreziku me 90 për qind për problemet kardiovaskulare, për shkak të dyfishimit të nivelit të kortizolit.

Ekspertët thanë se është e vështirë të studiohet dhe të matet stresi pasi është ‘personal’ dhe ndryshon tek të gjithë.

Si ta mbaj stresin nën kontroll

Nëse mendoni se nivelet tuaja të stresit mund t’ju vënë në rrezik, atëherë ka disa gjëra që mund të bëni.

Stërvitje

Të gjithë e dinë që stërvitja lëshon endorfina pozitive, të cilat ju japin një nxitje kimike.

Por aktivizimi gjithashtu mund të ndihmojë në uljen e niveleve të stresit duke rritur kimikatet dopamine dhe serotonin.

Ushqehuni mirë

Neuroshkencëtarja, Dr. Tara Swart shtoi: “Zorra shpesh quhet truri i dytë pasi ka një furnizim të madh nervor në të gjithë sistemin gastrointestinal dhe në organet e barkut, dhe disa neurotransmetues siç është serotonina prodhohen në masë të madhe në zorrë. Por kjo serotoninë nuk e kalon barrierën e trurit të gjakut”.

Flisni me dikë

Nëse jeni stresuar në punë, disa minutave pushim për të biseduar me bashkëmoshatarët tuaj mund t’ju ndihmojë.

Eksperti i shëndetit, profesor Cary Cooper thotë: “Nëse nuk lidheni me njerëzit, nuk do të keni mbështetje për t’iu drejtuar kur keni nevojë për ndihmë.”

Fokusohuni tek vetja

Selina Barker tha se nuk duhet ta kritikoni shumë veten dhe se duhet të filloni të besoni më shumë në vetvete. Selina shtoi: “Kur e doni, besoni dhe mbështeteni tek vetja në të njëjtën mënyrë siç mund të mbështesni një mik apo partner, ju do të rrisni nivelin tuaj të lumturisë, vetëvlerësimit dhe besimit.”