Talebanët kanë ftuar kancelaren gjermane Angela Merkel të vizitojë Afganistanin, duke thënë se ajo ka një “vend të veçantë” për ta në vend dhe se do ta mirëpresin.
Këto deklarata i ka bërë zëdhënësi i talebanëve Zabiullah Mujahid. “Ne kemi biseduar me përfaqësuesit gjermanë, dhe i dërguari i tyre special erdhi gjithashtu në zyrën tonë në Doha. Jam i sigurt se ata i përcollën mesazhet tona zonjës Merkel, por personalisht nuk e kam provuar ta ftoj. Ne duam të kemi një mjedis të fuqishëm dhe plotësisht të sigurt këtu në Afganistan – i cili do të pranohet nga të gjitha vendet në botë dhe në të cilin do të besojnë udhëheqësit e botës. Ata duhet të vijnë dhe të vizitojnë vendin tonë dhe me siguri do të jetë një vend i veçantë për Angela Merkel. Ne do ta mirëprisnim vërtet”, tha zëdhënësi i talebanëve Mujahid.
Zëdhënësi i talebanëve theksoi se marrëdhëniet e fuqishme me Gjermaninë janë në interes të Afganistanit. Gjermania është e gatshme të vazhdojë prezencën diplomatike në Kabul nëse talibanët plotësojnë disa kushte, tha më parë ministri i Punëve të Jashtme, Heiko Maas. Gjermania gjithashtu do të mbështesë organizata ndërkombëtare që “përmirësojnë situatën humanitare në Afganistan”, duke përmendur si probleme kryesore dhe urinë dhe mungesën e ujit. Sipas Merkel, fakti që aeroporti i Kabulit i është kthyer funksioneve është një “shenjë e mirë”.