Gjykata e Posaçme nuk liron nga burgu 8 ish zyrtarët e arrestuar për abuzimin me tenderin 2.8 mld lekë të uniformave të policisë. 8 ish zyrtarët kërkuan lirimin nga burgu, por gjyqtari Erion Bani vendosi të lërë në fuqi vendimin e Apelit më 30 korrik për t’i lënë në qeli. Gjatë javës së ardhshme GJKKO do të nis gjykimin për këtë çështje. Pas hekurave ndodhen Edlira Naqellari, ish drejtoresha e Prokurimeve Publike, Flutura Çekrezi, anëtare e njësisë së prokurimit, Ani Omuri, anëtare i njësisë së prokurimit, Kleivis Hasani, anëtar i njësisë së prokurimit, Kreshnik Bejkaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Fatmir Demneri, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Mariglen Buzali, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gëzim Mingaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Ndërsa Anisa Bogdani, anëtare e njësisë së prokurimit, është lënë në ‘arrest shtëpie’.

8 ish zyrtarët akuzohen për abuzimin me tenderin 2.8 mld lekë të uniformave të policisë, se kanë shkelur barazinë në tendera. Kujtojmë se SPAK mësyu në Ministrinë e Brendshme më 10 korrik, pas përgjimeve dhe vëzhgimeve që u kishte bërë 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë ‘zbërthyer’ skemën e abuzimit me tenderin. Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve. Procedurat e tenderimit nisën që në 2019-ën dhe sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.