Taulant Balla ka folur pas shpalljes së qeverisë ‘Rama 3’ dhe ndryshimeve në sekretariat dhe në qare. Balla u zëvendësua si Sekretar i Përgjithshëm nga Damian Gjiknuri, si dhe u transferua si drejtues qarku nga Elbasani në Fier.
Por para gazetarëve Balla tha: “Të jesh kryetar i Grupit Parlamentar i PS dhe të drejtosh qarkun e dytë siç është Fieri, mendoj se është një pozicion i rëndësishëm politik. Megjithatë unë jam deputet i qarkut të Elbasanit dhe dua t’i falenderoj të gjithë një për një, për rezultatin në zgjedhje.
Pozicioni si kryetar grupi do ta quaja të dytin pas Kryeministrit si përgjegjësi. Unë jam i vetmi deputet që kam kandiduar gjithmonë në të njëjtën zonë zgjedhore dhe kjo është një lidhje e fortë mes të zgjedhurit dhe zgjedhësve. Unë do të mërzitem me Ramën nëse Elbasani nuk do të marrë investimet e nevojshme dhe të domosdoshme pasi PS i ka borxh atij qarku” – tha Balla. Ai shtoi se ministrat e rinj meritojnë mbështetje nga të gjithë.