Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, sjell në vëmendje të të gjithë pasagjerëve shqiptarë, që mund të udhëtojnë nga Tirana drejt Belgjikës vetëm në qoftë se kanë një certifikatë vaksinimi të lëshuar nga autoritetet përkatëse shqiptare.
Sipas TIA-s, për personat që nuk jetojnë në Belgjikë ose në BE, dhe të cilët nuk kanë shtetësi evropiane kërkohen këto kritere.

“Ju lejohet të udhëtoni në Belgjikë nëse jeni vaksinuar plotësisht me një vaksinë të certifikuar nga EMA (Pfizer/BioNTech (Comirnaty), Moderna, AstraZeneca/Oxford (Vaxzevria), Janssen) ose Covishield prej më shumë se dy javësh dhe nëse keni një certifikatë vaksinimi të lëshuar nga autoritetet përkatëse shqiptare”, thuhet në njoftim. Të miturit që nuk janë të vaksinuar, por që udhëtojnë me prindërit e tyre të cilët janë plotësisht të vaksinuar, lejohen të ndjekin prindërit e tyre, por duhet të dorëzojnë një test negativ PCR para mbërritjes në Belgjikë (maksimum 72 orë) nëse janë 12 vjeç e sipër. TIA thekson në njoftimin për shtyp se, “edhe pse jeni plotësisht të vaksinuar, prapëseprapë do t’ju duhet të testoheni me PCR në ditën 1 ose 2 PAS mbërritjes tuaj në Belgjikë dhe të qëndroni në karantinë derisa të merrni rezultatin negativ të testit; gjithashtu duhet të testoheni përsëri me PCR ditën e 7 PAS mbërritjes tuaj në Belgjikë”. Nëse nuk jeni plotësisht të vaksinuar, mund të udhëtoni drejt Belgjikës vetëm nëse udhëtimi juaj mund të konsiderohet si thelbësor.

Për udhëtimet e lejuara: pasagjeri është i detyruar të jetë në zotërim të një certifikate thelbësore udhëtimi. Kjo certifikatë jepet nga Ambasada e Belgjikës në Sofje për të vërtetuar natyrën thelbësore të udhëtimit. Në rastet e mëposhtme, pasagjerët nuk kanë nevojë të kenë një dëshmi për udhëtimet thelbësore:Pasagjeri zotëron një vizë D të vlefshme të dhënë nga një zyrë diplomatike ose konsullore belge; Pasagjeri zotëron një vizë C të vlefshme të dhënë pas 18/03/2020 nga një post diplomatik ose konsullor i Belgjikës ose një shteti tjetër anëtar të Shengenit në përfaqësimin e Belgjikës, nëse natyra thelbësore e udhëtimit demonstrohet nga dokumentet zyrtare në zotërim të pasagjerit;Natyra thelbësore e udhëtimit demonstrohet nga dokumentet zyrtare në zotërim të pasagjerit.

“Në rast se nuk jeni plotësisht të vaksinuar, duhet të testoheni PCR maksimum 72 orë PARA mbërritjes në Belgjikë dhe të dorëzoni një test negativ PCR; fëmijët nën 12 vjeç përjashtohen nga testi PCR; duhet të qëndroni në karantinë për 10 ditë; duhet të testoheni me PCR në ditën 1 ose 2 PAS mbërritjes në Belgjikë; ju do të duhet të testoheni përsëri PCR ditën e 7 PAS mbërritjes tuaj në Belgjikë; karantina mund të hiqet më herët nëse rezultati i këtij testi të fundit është negativ. Për personat që jetojnë në Belgjikë dhe që dëshirojnë të kthehen në Belgjikë: Nuk duhet të dorëzojnë një certifikatë vaksinimi ose një test negativ PCR para nisjes për në Belgjikë dhe lejohen të kthehen në Belgjikë pa parakushte për sa kohë që ata mund të dëshmojnë se jetojnë në Belgjikë.