Zbardhet vendimet e para të qeverisë Rama 3. Ndër ligjet e para të miratuata është edhe ai trajtimi financiar i fëmijëve që kanë humbur prindërit në krye të detyrës.
Këtu përfshihen edhe ato fëmijë të cilët familjarët e tyre, mjekë apo infermierë kanë humbur jetën nga Covid.
“Personat sipas kategorive të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji, kanë të drejtën për të përfituar statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” pavarësisht nëse prindi apo kujdestari ligjor ka humbur jetën përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji. Gëzon të drejtën për të përfituar statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” personi që nuk ka mbushur moshën 18 vjeç, prindi apo kujdestari ligjor i të cilit i përket kategorisë mjek apo infermier, që ka humbur jetën, qoftë edhe përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, si rezultat i infeksionit SARS-COVID 19, të marrë gjatë apo për shkak të kryerjes së detyrës në institucionet e specializuara/spitalet Covid-19”.
Kriteret
Neni 5
Kriteret për marrjen e statusit Fëmijë në përkujdesje të Republikës
Gëzojnë të drejtën për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” kategoritë e mëposhtme të personave që nuk kanë mbushur ende moshën 18 vjeç:
a) Fëmijët apo personat nën kujdestari të një personi të shpallur apo të njohur me statusin “Dëshmor i Atdheut”;
b) Fëmijët apo personat nën kujdestari të shtetasve shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve të marra, në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi;
c) Fëmijët apo personat nën kujdestari të shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra, si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte apo situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.