Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi sot se pala kosovare synon vazhdimin e procesit të dialogut me palën serbe në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Gjatë qëndrimit të saj në Nju Jork ajo u takua me kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah, ku është shprehur se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë. “Dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë”, tha presidentja Osmani.
Osmani i kërkoi kryeministrit të Kuvajtit përkrahje që ky vend të vazhdojë mbështetjen e Kosovës për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar. Në këtë kontekst, Osmani kërkoi mbështetjen në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe të ushtrojë ndikim pozitiv në vendet e Organizatës Islamike, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duke qenë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon.
Më tej, Osmani shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve me Kuvajtin. Në këtë kontekst, ajo përmendi praninë e ushtarëve të FSK-së në misionin paqeruajtës në Kuvajt, të cilët ndodhen në këtë shtet në kuadër të angazhimit të përbashkët me ushtarët amerikanë nga Garda e Ioëas. Osmani dhe Al-Hamad Al-Sabah u pajtuan për ta finalizuar nënshkrimin e disa marrëveshjeve, përfshirë edhe atë mbi “Statusin e Anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë Stacionit të tyre të përkohshëm në Shtetin e Kuvajtit”.