Ministrja e Shtetit për Parlamentin Elisa Spiropali e ka konsideruar nje krim të llahtarshëm vrasjen e grave dhe nënave në familje. Duke reaguar mbi ngjarjen e rëndë në Fier ku një 23-vjeçare u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Spiropali shkruan se këto krime të rënda lehtësohen dhe ndihmohen nga padrejtësi sistemike dhe praktika korruptive në sistemin e drejtësisë.

Ajo i ka bërë thirrje Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të kryejë HETIM të thelluar të këtij rasti makabër në të gjitha hallkat e zinxhirit prokurori- gjykatë.

Reagimi i plotë:

Sabrina 23 vjeç, nënë e një vajze 3 vjeçe, gjeti vdekjen makabre nga një kriminel i liruar rishtas në rrethana të errëta.

Vrasja e grave dhe vajzave në familje është krim i llahtarshëm brenda një kodi maskilist patriarkal të atyre që gruan e shohin si pronë me të cilën mund të bëjnë gjithçka; ta mbajnë, ta shesin, ta blejnë, ta dhunojnë, e madje edhe ta asgjesojnë.

Këto krime të rënda lehtësohen dhe ndihmohen nga padrejtësi sistemike dhe praktika korruptive në sistemin e drejtësisë.

Për të nxjerrë të vërtetën dhe për të dënuar sipas ligjit autorët, i bëj thirrje Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të kryejë HETIM të thelluar të këtij rasti makabër në krejt hallkat e zinxhirit prokurori- gjykatë.

Lufta kundër këtij fenomeni kërkon përgjegjësi institucionale dhe dënime shembullore, që raste të tilla të mos përsëriten duke lënë pas trishtimin dhe vulën e turpit mbi një shoqëri të tërë.

U prehsh në paqe Sabrinë!
Ngushëllime familjarëve!