BE duhet të tregojë konkretisht se procesi i zgjerimit në Ballkanin Perëndimor është “gjallë” dhe të konfirmojë se vlerat dhe parimet evropiane janë ende një realitet, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në një intervistë. “Do të ishte një dështim strategjik nëse Bashkimi Evropian sakrifikon zgjerimin për situatën politike të brendshme të një shteti anëtar”, shtoi Zaev. “Për momentin, negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë kanë ngecur. Problemi nuk është vetëm politik, por një çështje morale për Bashkimin Evropian”, nënvizoi Zaev.
“Për ne nuk ka alternativë përveç BE-së, por me gjithçka po ndodh në BE në këtë kuadër, integriteti i Bashkimit Evropian po vihet në provë”, shtoi ai duke kërkuar që një mesazh i qartë të jepet gjatë forumit të Bled, në Slloveni, që nuk ka të ardhme për Evropën pa zgjerimin. “Bullgaria është në një situatë politike të brendshme të komplikuar. “Pas dy zgjedhjeve, në prill dhe në korrik, formimi i një qeverie nuk është arritur ende. Ajo është drejtuar tashmë drejt zgjedhjeve të treta në nëntor dhe shpresoj që rezultatet do të çojnë në krijimin e një ekzekutivi të ri. Kjo do të krijonte edhe mundësitë për diskutime për të kapërcyer këtë situatë”, theksoi Zaev.
Shpresoj që Bashkimi Europian do të miratojë kuadrin negociues me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, është vetëm hapi i parë, jo i fundit. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë para se të bëhemi shtete anëtare”, nënvizoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. “Ndërkohë, Shkupi vazhdon të lihet mënjanë nga BE, pavarësisht reformave të bëra dhe pavarësisht ndryshimit të emrit të vendit. Maqedonia e Veriut për perspektivën e saj evropiane ka bërë gjithçka dhe më shumë dhe nuk ka marrë asgjë në këmbim”, theksoi Zaev.
“Sidoqoftë, qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet në të njëjtën rrugë strategjike, ajo e anëtarësimi në BE. Dhe “le të mos heqim dorë”, siguroi Zaev. “Pa një BE të fortë në Ballkan, roli destabilizues i fuqive të jashtme, të tilla si Kina dhe Rusia ngjall shqetësim. Nëse BE nuk zgjerohet, dikush tjetër do të përpiqet ta bëjë atë”, paralajmëroi Zaev. “Bashkimi Evropian duhet të kuptojë se zgjerimi për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është një çështje e kufizuar, por një çështje e politikës së jashtme dhe pozicionimit strategjik të BE -së ndaj rajonit”, theksoi Zaev. “Për këtë arsye ecja përpara drejt zgjerimit është thelbësore për besueshmërinë e BE -së dhe për të ardhmen e Evropës”, shtoi ai.