Nga Aranit Muraçi
Ideja më e fundit është ajo e udhëheqjes nga një politikan që me profesion të jetë komedian, për të larguar fillimisht pesimizmin dhe mërzinë, para se të rikthejë të djathtën shqiptare në pushtet, siç ndodhi në Ukrainë. Në Ukrainë zgjedhjet e dy viteve më parë i fitoi komediani i njohur, Volodymyr Zelensky. Nga një vend që njihte vetëm tensione dhe konflikte politike, duke u kthyer shpeshherë në një shqetësim ndërkombëtar, nën udhëheqjen e komedianit që e mori pushtetin në moshën 41 vjeç, ukrainasit kanë gjetur më në fund qetësi. Julian Deda, 41 vjeç, është një ndër komedianët më të njohur në Shqipëri. Ai veç humorit, prej disa vitesh është bërë pjesë zyrtare e strukturave të larta drejtuese të Partisë Demokratike. Kishte ambicje të mëdha për t’u bërë deputet në zgjedhjet e fundit, por pavarësisht propozimit të njerëzve të afërt të Berishës, Basha nuk e mori aq seriozisht.
Si një ndër komedianët më të sukseshëm gjatë 15 viteve të fundit, i orientuar dukshëm në politikë edhe si një adhurues i pakonkurueshëm i liderit historik, ai u bë pjesë e kryesisë së PD-së, si një risi brenda strukturave të reja pas zgjedhjeve të 25 prillit. Julian Deda duke shfrytëzuar talentin si humorist dhe si i tillë duke qenë se mbetet mjaft i ndjekur në rrjetet sociale, është tallur vazhdimisht me politikanët e majtë, duke i fokusuar kritikat pikante politike dhe plot satirë krysisht ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Nuk dihet se çfarë efekti kanë pasur në elektorat reagimet e tij, ngaqë PD ka pretenduar gjithmonë sa herë që ka humbur pas 2013 kur ra nga pushteti se zgjedhjet janë manipuluar, megjithëse, sipas rezultateve zyrtare PS-ja ka fituar edhe më bindshëm që kur Julian Deda është përfshirë në politikë.
Këto ditë ka mjaftuar përjashtimi i liderit historik Sali Berisha nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, për t’i krijuar bindjen komedianit të njohur, se disfatat e njëpasnjëshme të partisë ku ai militon kanë vetëm një emër, atë të kryetarit aktual të Partisë Demokratike: Lulzim Basha. Pa i hequr asnjë pikë dhe asnjë presje bindjes së liderit historik, i cili pas përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat pranoi se Lulzim Basha është në partneritet me Edi Ramën, madje u shpreh i bindur se PD-ja nuk fiton kurrë zgjedhje me një kryetar të tillë, Julian Deda përtej seriozitetit të Berishës, tha se e djathta ka sot më tepër se kurrë nevojë për lider të ri.
Dhe kaq ka mjaftuar që në kampin e së djathtës shqiptare të lindë ideja e nevojës së një lideri të ri, i cili mund ta çojë atë drejt suksesit. Shembulli ukrainas shihet si më ideali për t’u ndjekur. Suksesi i papritur i një komediani atje, kur PD-ja e ka një tillë këtu, mund të përsëritet rishtazi si rasti i dytë në Europë, brenda një kohe të shkurtër. Mbështetësit e afërt të Berishës kanë nisur përpjekje serioze për shkarkimin e Bashës. E vetmja rrugë e mbetur për shkarkimin e Bashës është thirrja e Këshillit të Jashtëzakonshëm Kombëtar përmes mobilizimit të strukturave bazë dhe degëve të partisë. Ajo që i pengon të besuarit e Berishës që të ngrihen dhe t’i marrin drejtimin e partisë Bashës është frika e ndonjë inatosje të mundshme nga SHBA. Por, askush nuk i pengon që të krijojnë një parti të re, me një kryetar të ri. Pas dorëheqjes që dha më 2013, Berisha nuk ka pasur kurrë ndërmend të rikthehet dhe as ka aktualisht pavarësisht ndonjë mesazhi paralajmërues për Bashën.
Ajo çka e ka munduar Berishën prej disa kohësh, i cili në fakt sot po vuan pasojat e gjithçkaje gatoi për 30 vite me duart e tij, është mungesa e një lideri tjetër besnik dhe karizmatik. E djathta për të gjetur sa më shpejt rrugën e suksesit ka sot ndoshta nevojë të udhëhiqet nga një komedian, sikurse kemi modelin ukrainas. Pse jo? Politika shqiptare ka kohë që krahasohet me një estradë. Jul Deda është një nga komedianët më të ndjekur aktualisht në Shqipëri, si dhe i biri i një prej aktorëve më të mëdhenj të estradës shqiptare. E djathta në Shqipëri pas pesë humbjeve radhazi kërkon të rigjejë entuziazmin e munguar. E kush tjetër ia siguron këtë veçse udhëheqja e një politikani plot humor, për më tepër kur ai është edhe komedian origjinal. Shqipëria pas një tranzicioni të tejzgjatur, të lodhshëm dhe të stërmundimshëm ka nevojë më tepër se kurrë që të udhëhiqet nga një komedian, i cili do të mund t’i garantojë qetësinë ukrainase, ose të paktën përmes tij, populli të qeshë sadopak me hallet e veta. Megjithatë sfida mbetet e hapur: A ka një komedian tjetër dhe politikan njëkohësisht sot Shqipëria, që të jetë më i aftë se Julian Deda, për të rrëzuar një herë e më parë Edi Ramën?