Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka komentuar situatën e zjarreve gjatë verës në vend. Në një konferencë në Bazen Ajrore të Farkës, Peleshi shprehu vlerësimet për ushtarët, zjarrfikësit dhe pilotët që punuan në fikjen e zjarreve. Një falënderim të veçantë, ministri pati për prefektin e Vlorës, Flamur Manaj, për të cilin tha se qëndroi me net të tëra pa gjumë pasi zjarri rrezikonte Parkun e Llogarasë.

“Më luftën për të mbrojtur së pari jetën dhe pasurinë e qytetarëve dhe padyshim mjedisin. Dy qytetarë humbën jetën në Gjirokastër dhe katër të tjerë u lënduan. Dëmet do të kishin qenë të pallogaritshme nëse nuk do të ishte puna e përkushtuar e forcave tona. Të japim vlerësimet e merituara për ata që spikatën. Sa herë që ka operacione të mëdha vlerësimet nuk mund të jenë asnjëherë 100% objektive. Do t’ju lutesha që ato vlerësime që do të shpërndahen sot ti marrin sikur janë për gjithësecilin. Jam i prekur nga devocioni i ushtarakëve, zjarrfikëseve dhe pilotëve. Prefekti i Vlorës më ka prekur kur e kam parë me net të tëra pa gjumë dhe të punojë si ushtarët. Shifrat janë mbi 3 mijë ha të prekura. Ky angazhim i madh ka bërë të shmangim më të keqen,” deklaroi ministri.

Peleshi theksoi më tej se kjo situatë që kaloi duhet të shërbejë edhe si një moment reflektimi. Ministri tha se ata kanë mbajtur shënimet e nevojshme dhe vuri theksin se domosdoshmëria e modernizimit të Mbrojtjes Civile.

“Sot është edhe ditë reflektimi. Kjo përballje na ka treguar sa i domosdoshëm është modernizimi i mbrojtjes Civile në Shqipëri. mbrojtja civile nuk është vetëm funksion i një strukture të vetme, ajo fillon nga komuniteti, tek bashkitë dhe ë pas te çdo institucion. Nga përballja me emergjencat duhet të mësojmë të gjithë. Ne kemi mbajtur shënimet tona, sa i përket gatishmërisë së mjeteve ajrore dhe të tjera. para pak ditësh kemi realizuar për herë të parë një kontratë model të mirëmbajtjes së helikopterëve. Do të ecim në këtë rrugë. Duke filluar nga ne dhe duke përfunduar te çdo kryeplak fshati është momenti të mbajmë shënime dhe të nxjerrim mësime tek përballja me emergjencat,” tha Peleshi.