Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka mbajtur një fjalë në nder të 76-vjetorit të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe nënshkrimit të programit të ri mes OKB dhe qeverisë shqiptare për vitet 2022 – 2026.

Ministrja Xhaçka vlerësoi format e angazhimit multilateral të OKB-së, teksa theksoi se Shqipëria e rajoni i Ballkanit Perëndimor janë prova më e qartë e vlerës së madhe që ka bashkëpunimi multilateral.

Sipas saj, marrja e mandatit nga Shqipëria në Këshillin e Sigurimit është një arritje e madhe, që ofron mundësi të shkëlqyera për vendin tonë në sferën globale.

“Është padyshim një arritje e madhe për Shqipërinë, një arritje prestigjioze që tregon se çfarë pjekurie ka arritur diplomacia shqiptare dhe që njeh rolin konstruktiv të vendit tonë përsa i përket çështjeve të sigurisë, stabilitetit e zhvillimit. Por mbi të gjitha është një mundësi. Një mundësi për një vend të vogël që zakonisht e ka të vështirë të ndikojë apo të bëjë të dëgjohet zëri i tij në arenën globale, që të shtrojë para botës disa ide, disa zgjidhje për problemet që na shqetësojnë të gjithë. Ide e zgjidhje që burojnë nga eksperienca jonë, në çështje si Gratë Paqja e Siguria, Lufta kundër Radikalizmit të Dhunshëm, apo nevoja për të respektuar të drejtat e njeriut, ku Shqipëria padyshim ka shumë për të thënë, apo edhe për çështje si ajo e klimës ku ndoshta s’kemi ende një rekord të qartë arritjesh, por jemi të vetëdijshëm për nevojën për të bërë diçka e për këtë arsye kemi vendosur të bashkojmë forcat me vende të tjera që ndajnë të njëjtin shqetësim për të marrë stafetën për këtë çështje prej tyre e për t’ia kaluar atë në fund të mandatit tonë një tjetër vendi partner”, u shpreh ministrja Xhaçka.