Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Sporopali ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve, projektligjin e “Agjencisë për dialog dhe bashkëqeverisje”. Në fjalën e saj, ministrja e cilësoi këtë projektligj si një mekanizëm të fuqishëm demokratik në duar të qytetarëve.
Pjesë nga fjala e ministres Spiropali në Komisionin e ligjeve: Duke ju uruar suksese në punën Tuaj, më lejoni të shpreh falenderimet e mia që nisët punën menjëherë me shqyrtimin e këtij projektligji, i cili do të jetësojë një mekanizëm të fuqishëm demokratik në duar të qytetarëve shqiptar. Ky projektligj nuk është vetëm derë që hapet pas cdo ankese dhe pas cdo kërkese të qytetareve, por edhe një derë ku mund të trokasë cilido qw ka një mendim apo iniciativë në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Ky Projektakt pasqyron vizionin dhe synimin e Këshillit të Ministrave te Republikëse së Shqipërisë për krijimin e një mekanizmi gjithëpërfshirës të vendimmarrjes me publikun, si një garanci për realizimin e të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshme, brenda aparatit të pushtetit ekzekutiv. Projektakti përben një nisme për ri konceptimin dhe riorganizimin institucional te Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe ka për qëllim përfshirjen e qytetarëve, jo vetëm në procedurat administrative që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të drejtat dhe interesat e tyre vetjake, por edhe në proceset e tjera politikëbërëse dhe vendimmarrëse. Objektivi final i tij është të rrisë cilësinë e ofrimit të shërbimeve publike dhe përgjegjshmërinë e nëpunësve publikë ndaj qytetarëve dhe të gjitha subjekteve të së drejtës. Kjo duke siguruar pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje dhe ndërveprimin me organet publik, të gjitha këto përmes Platformes “Me ty për Shqiperinë që duam”.