21 vite martesë të Vitores dhe Aleksandrit, të kaluara mes një kalvari dhimbjesh e vështirësish, më në fund patën prekjen e një fëmije. Por, për të gjitha vuajtjet që ndien se i ka shkaktuar bashkëshortit, qoftë edhe pa vetëdije, Vitoria e ka thirrur Aleksandrin në studion “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”për t’i thënë faleminderit shokut të saj të jetës. Vitore: Aleksandër, të dua. Ç’të të them, ti gjithmonë je përkrahja, kemi kaluar shumë vështirësi bashkë, sidomos në Greqi dhe të jam shumë mirënjohëse. Më ke dhënë kurajo, unë ndoshta nuk kisha forcë të të jepja kurajo ty.
Aleksandër: Unë të falenderoj që më solle këtu dhe të falenderoj edhe për diçka tjetër se e kam pasur ëndërr që ta takoja zotin Ardit. Ti e di shumë mirë se në makinën tonë ishim vetëm kasetat dhe disqet e zotit Ardit dhe dëgjonim gjithnjë bashkë muzikën e këngët e tij. Vitore: Ti gjithmonë bëje surpriza dhe unë jo se nuk gëzohesha, por thjesht duke menduar që do të kursenim ndonjë lek për çupën, është koha më e vështirë për ne tani, ndoshta nuk ishte moment të vinim këtu se jemi nën qiell të hapur, por të paktën t’i lëmë një kujtim të bukur gocës, që nuk mbaron kurrë.
Aleksandër: E ke menduar shumë mirë dhe ne e kemi diskutuar, por thoshim është e pamundur për ne. Ardit Gjebrea: Por ja që u bë realitet vajza juaj pas 21 vjetësh, nuk u dorëzuat në asnjë moment. Aleksandër: Unë nga periudha aty afër, fillova u dorëzova, por më dha kjo forcë. Ardit Gjebrea: Po kur të thoshte Vitoria gjej një grua tjetër, çfarë mendoje në ato momente? Aleksandër: Nuk po e them atë përgjigje. Ardit Gjebrea: Njerëzit ju bezdisnin duke ju thënë “pse s’po bëni një fëmijë”?
Aleksandër: Atë e ka vuajtur shumë ajo. Ardit Gjebrea: Po ju? Aleksandër: Unë e kam vuajtur, por jo në atë masë sa ajo. Ardit Gjebrea: Si i përgjigjeshe ti njerëzve? Aleksandër: Ajo është punë e imja dhe punë e atij atje lart.