Task Forca e Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka nisur një aksion për goditjen e paligjshmërisë ndaj subjekteve të cilat ushtrojnë aktivitetin e transportit të pasagjerëve pa qenë të pajisur me licencat përkatëse.
Ditën e sotme, aksionet e Task-Forcës janë fokusuar kryesisht në Tiranë, rrugët hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit, ndërsa në ditët në vijim aksioni do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit. Nga kontrollet e ushtruara janë konstatuar një sërë drejtuesish mjetesh të cilët ushtronin aktivitetin e transportit të pasagjerëve pa qenë të pajisur me licencë, apo raste ku licenca kishte kaluar afatin e vlefshmërisë. Brenda pak orëve, nga ana e Task Forcës, janë ndëshkuar afro 10 subjekte.
Një ditë më parë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku paralajmëroi nisjen e një aksioni të gjerë kundër goditjes së informalitetit në transportin publik të pasagjerëve dhe që do të vijojë edhe në javët në vijim në të gjitha akset rrugore të vendit. Deklarata e Balluku u bë gjatë një takimi që ministrja zhvilloi me përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit Publik, të cilët ngritën si shqetësim ushtrimin e aktivitetit nga ana e subjekteve të pa pajisur me licenca. Sipas tyre, konkurrenca e pandershme po dëmtonte operatorët e licensuar të cilët ndodhen në pozitë të vështirë për shkak të fazës së post pandemisë