Pas kryeministrit të parë shqiptar, hapi i radhës për Bashkimin Demokratik për Integrim është presidenti shqiptar. Kështu ka deklaruar lideri i integristëve, Ali Ahmeti gjatë një tubimi parazgjedhor në Çair të Shkupit. Sipas tij, kohë pas kohe po thyhen barrierat etnike në Maqedoni të Veriut. “Ministër të Mbrojtjes – Po, Ministër të Brendshëm – Po, Kryetar Kuvendi – Po, Ministër të Jashtëm – Po, Zv/Kryeministër i Parë – Po, barrikada e radhës – Kryetarin e Shtetit”.

Duke komentuar këtë deklaratë, Kryeministri Zoran Zaev tha se nuk ka asgjë kundër që një shqiptar të jetë president i vendit, por për këtë duhet të votojnë të gjithë qytetarët. Kryeministri u shpreh se pret momentin kur të gjithë qytetarët do të jenë të gatshëm për Presidentin shqiptar. “Këtë moment dua ta pres, të jem shëndosh e mirë, unë, por edhe për të gjithë që do të thotë afirmimi i personalitetit, të qytetarit, pa dallim të përcaktimit etnik të kalojë tek qytetarët së paku 50% nga maqedonasit, 50% nga shqiptarët, 50% nga serbët, vllehët, romët, boshnjakët dhe të gjithë ata që jetojnë në këtë vend dhe do ta votonin atë President”.

Në fushatën parazgjedhore për Zgjedhjet Parlamentare të këtij viti, BDI-ja doli me moton për kryeministrin shqiptar. Në tubimin e Prespës, si kandidat u prezantua Naser Ziberi, i cili u bë kandidati i parë shqiptar për kryeministër të Maqedonisë së Veriut.