Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka thënë se i pëlqeu fitorja 1:0 kundër Romës, edhe pse e pranoi se skuadra e Jose Mourinhos e meritoi një barazim të dielën.
Moise Kean e shënoi golin e vetëm dhe të fitores së katërt radhazi për skuadrën e Massimiliano Allegrit të dielën në Allianz Stadium. Roma e barazoi rezultatin përmes Tammy Abraham, por gjyqtari Daniele Orsato i ra pipit paraprakisht për një faull ndaj Henrikh Mkhitaryan dhe dha penallti, të cilën Szczesny e priti pas goditjes nga Jordan Veretout.
Duke folur pas ndeshjes, Allegri theksoi se bardhezinjtë janë në rrugë të mirë për të arritur në pikën ku dëshiron ai. “Më pëlqen 1:0, sepse është rezultat i mirë, posaçërisht sepse nuk pranuam gol”, tha Allegri pas ndeshjes. “Roma është ekip i mirë teknikisht dhe na shkaktoi shumë telashe në fillim me cilësitë e shumta që i ka. Ne e dinim se do të ishte ndeshje e vështirë. Roma ka mundur ta meritonte një barazim”.
Ai shtoi: “Nuk gënjej, mbase i bëra dëm ekipit në fillim të sezonit me disa prej zgjedhjeve të mia, por m’u desh t’i njihja disa prej lojtarëve dhe karakteristikat e tyre, por jemi në binarë”. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi për bardhezinjtë, pas një fillimi të tmerrshëm të skuadrës së Allegrit në Serie A. Falë këtyre tri pikëve, Juventusi ngrihet tani në pozitën e shtatë të tabelë me 14 pikë, 10 më pak se lideri Napoli