Ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku ka qenë e pranishme në Konferencën e Nivelit të Lartë në Transport, që u mbajt në Malin e Zi.

Në fjalën e saj, Balluku u shpreh se në këtë takim u fol për sigurinë rrugore, për radhët e gjata në kufi, si dhe është folur për projektet si ai i korridorit tetë, si dhe për lidhjen e Shqipërisë përmes hekurudhës Vorë-Hani Hotit me Malin e Zi.

Ministrja tha se projektet e përbashkëta me vendet e Ballkanit Perëndimor do të sjellin një përmirësim të transportit në gjithë rajonin.

Balluku: Padyshim është një tjetër hap i bashkëpunimit rajonal. Ky bashkëpunim rajonal i cili mbështetet në fakte dhe projekte konkrete, projekte të përbashkëta që do të sjellin përmirësimin e transportit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kemi folur për sigurinë rrugore, kufijtë që duhet të përpunohen në mënyrë të përbashkët, pasi nuk mjafton që vetëm infrastruktura të jetë më e mirë, por duhet që edhe radhët nëpër kufijtë të mos ekzistojnë më. Pra, kalimi i qytetarëve apo edhe i mallrave të jetë i pandërprerë për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Me prezencën e përfaqësuesve të komisionit evropian në tryezë kemi arritur të diskutojmë çështje serioze për të gjitha vendet tona, kemi arritur të adresojmë gjithçka që duhet zgjidhur në të ardhmen dhe kemi folur për të gjitha projektet tona, siç është korridori i tetë, apo siç është edhe lidhja e Shqipërisë përmes hekurudhës Vorë-Hani Hotit me Malin e Zi, duke u bërë kështu pjesë e korridorit të 10.