Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti koordinatoren rezidente të OKB-së në Tiranë, Fiona McCluney. Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të agjencive të OKB-së: Pablo Zapata, përfaqësues i UNHCR; Michele Ribotta, përfaqësues i UNWomen Gerald Rockenschaub, shefi i Zyrës së OBSH-së, dhe Edina Kozma, zëvendëspërfaqësuese e UNICEF.
Kryetarja Nikolla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të agjencive të OKB-së në Shqipëri për përmirësimin e procesit legjislativ dhe mbikëqyrës të Kuvendit të Shqipërisë, sidomos për çështje me ndjeshmëri të veçantë sociale si mbrojtja e fëmijëve, mbështetja e të rinjve, lufta kundër dhunës me bazë gjinore, mbështetja e azilkërkuesve, integrimi i të huajve, zgjidhja e çështjes së individëve pa shtetësi, promovimi i të drejtave të njeriut, mosdiskriminimi dhe aksesi i barabartë para ligjit për grupet e popullsisë në nevojë apo në rrezik, forcimi i kapaciteteve të inspektorateve shëndetësore etj.
Nikolla vlerësoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë në kuadër të Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” dhe Aleancës së Grave Deputete si edhe kontributin e agjencive të OKB-së në realizimin e Axhendës 2030 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Fiona McCluney dhe përfaqësuesit e agjencive të OKB-së në Shqipëri shprehën vlerësimet e tyre për bashkëpunimin e suksesshëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe vunë në dukje se ky bashkëpunim do të vazhdojë, duke kontribuar që kuadri legjislativ në Shqipëri të nxisë zhvillimin njerëzor, arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, mbrojtjen e të drejtave të grave e fëmijëve si edhe aspekte të tjera të zhvillimit social, të cilat përbëjnë edhe fusha prioritare të OKB-së dhe agjencive të saj.