Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Qendrën e Rilindur Shëndetësore në Belsh, në mbyllje të fazës së parë të Programit Kombëtar për Rehabilitimin e 300 Qendrave Shëndetësore në të gjithë vendin, të cilat i ofrojnë qytetarëve shërbim parësor me standard europiane. Kjo qendër shëndetësore i shërben rreth 40 mijë banorëve dhe ofron shërbime të kujdesit bazë, urgjencës, konsulta për fëmijët, shërbime për gratë dhe nënat si dhe vizita në familje dhe vaksinimet për të miturit.
Në prani të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Kryeministri bëri një tur të qendrës shëndetësore dhe u prezantua me të gjitha shërbimet që marrin pacientët vendas. Ministrja tregoi se qendra e Belshit është pjesë e programit për vaksinimin kundër gripit duke shtuar se tashmë janë shpërndarë më shumë se 200 mijë vaksina kundër gripit në të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulance në vend. Ministrja Manastirliu gjithashtu u shpreh se në kontrollin parësor bazë, që ka nisur të funksionojë në këtë qendër që në shtator, banorët kanë treguar interes të jashtëzakonshëm, për të kryer kontrollet periodike.
Qendra Shëndetësore e Belshit, ashtu si qendrat e tjera shëndetësore në vend, ofron vaksinim kundër Covid-19 për banorët. Ministrja Manastirliu tha se në total janë kryer më shumë se 1 900 000 vaksinime të kryera me një ose dy doza. Ndërsa, sa i përket muajit tetor, muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, u përmbyll me një numër të madh mamografish të kryera, me më shumë 9 mijë mamografi vetëm përgjatë një muaji në të gjithë vendin, sipas Ministres së Shëndetësisë.
Ajo shtoi se gjatë këtij viti janë kryer më shumë se 13 mijë mamografi, duke theksuar se pas investimit të qeverisë për mamografitë, tashmë mamografi falas kryen në çdo spital rajonal nga veriu në jug falas.
Ndërsa Programi Kombëtar i Depistimit të kancerit të gjirit i mundëson të gjithë banorëve ekzaminime sistematike dhe shërbime të integruara si ekzaminimi me palpimin e gjirit, shërbimi i mamografisë dhe më pas diagnostikimet dhe trajtimet me terapi sipas protokolleve më të mira klinike. Tashmë në të gjithë vendin, çdo grua e moshës 50 – 60 vjeç shkon çdo dy vjet te mjeku i familjes për të kryer mamografinë falas në institucionet shëndetësore publike. Gjatë vitit 2021, që nga janari deri tani është praktikuar shërbimi i mamografisë së lëvizshme në çdo qytet të vendit, ndërsa po këtë vit 15 barna të rimbursueshme nga 43 barna në listen e barnave të rimbursueshme, janë për trajtimin e kancerit të gjirit. Vitet e fundit, është rritur gjithmonë e më shumë edhe numri i pacientëve që rimbursohen për barnat që marrin.
Investimet në shëndetësi do të vijojnë, pasi programi për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore vijon, ndërsa në vitin e ardhshëm investohet edhe më shumë në përmirësimin e shërbimit për pacientët dhe në rritjen e cilësisë së kushteve të punës për personelin shëndetësor.