Berati ishte “stacioni” i radhës së ish-kryeministrit Sali Berisha në kuadër të turit të foltoreve, ku po takon anëtarët demokratë në të gjitha rrethet e vendit.

Berisha u prit në Berat nga një grup demokratësh, por ra në sy mungesa e drejtuesve dhe deputetëve të Partisë Demokratike në këtë qark.

Në foltoren e Sali Berishës munguan edhe dy deputetët Tomor Alizoti dhe Kasëm Mahmutaj. Kujtojmë që Tomor Alizoti ishte edhe drejtuesi politik i demokratëve në qarkun e Beratit në zgjedhjet e 25 prillit.

Duket se Alizoti dhe Mahmutaj nuk janë pozicionuar pro nismës së ish-kryeministrit Sali Berisha, që nisi turin e foltoreve pas pezullimit nga Grupi Parlamentar i PD.

Në krah të ish-kryeministrit Berisha ishin si gjithmonë figurat që e kanë shoqëruar në disa prej foltoreve, Bujar Nishani, Flamur Noka, Klevis Balliu, Astrit Veliaj etj.

Këta të fundit kanë shprehur hapur mbështetjen për Berishën që në fillim të lëvizjes së tij.