Studentët e pavaksinuar dhe ata që nuk dorëzojnë testin e tamponit negativ çdo javë, nuk duhet të pranohen në universitete. Rekomandimi vjen nga ekspertët e Komitetit të Imunizimit dhe Vaksinimit.
Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se 5 anëtarët e këtij Komiteti, kryetari Eduart Kakariqi, mjekët Najada Çomo, Gjeorgjina Kuli, Aida Bushati dhe Genc Sulçebe, kanë shprehur dakordësinë se në auditorë duhet të hyjnë vetëm studentët e vaksinuar dhe ata që nuk janë rrezik infektimi për të tjerët.
Ndërkaq, Silva Bino, eksperte e Komitetit Teknik dhe shefe për sëmundjet infektive në ISHP tregon për rrezikun nga Covid-19 edhe tek të rinjtë e pavaksinuar. “Një nga hezitimet e tyre është që, ne jemi të rinj dhe nuk kemi pse të bëjmë vaksinën. Është e vërtetë se Covid kalon me forma të lehta tek të rinjtë, por me shtimin e rasteve mund të kemi forma të rënda dhe vdekje”.
Referuar të dhënave shkencore, Bino qetëson të rinjtë se vaksina anti-Covid nuk ndikon në shëndetin e tyre riprodhues. “Vaksina nuk ka asnjë ndikim në shëndetin riprodhues, nëse mbetesh shtatzënë apo jo, si për femrat ashtu edhe për meshkujt. Të gjitha këto kanë qenë hamendësime të pabazuara. Të gjitha të dhënat e sotme, eksperimentale, në kafshë apo të dhëna në popullatën e përgjithshme, flasin se vaksina nuk ka asnjë efekt. Kjo vihet re edhe në vendin tonë, personat janë vaksinuar dhe kanë mbetur shtatzënë”, sqaroi Bino.
Edhe për disa ditë, grupet e vaksinatorëve do të jenë pranë universiteteve për imunizimin e studentëve ndaj Covid-19. Deri të hënën e 18 tetorit, rezultojnë të vaksinuar 34% e të rinjve të grupmoshës 18 deri 30 vjeç.