Një pacient i shtruar në spitalet COVID në vendin tonë i kushton shtetit rreth 500 euro në ditë. Duke përllogaritur që në rastet e rënda, pacienti qëndron mbi 20 ditë në spital, atëherë kjo kosto shkon drejt 10 mijë euro, vetëm për një pacient.

Nëpërmjet kësaj llogarie, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj thotë se është e mjaftueshme për të kuptuar se përse është bërë vaksina me detyrim, pasi mes këtyre refuzimeve nga individë të caktuar, shteti e ka për detyrë të mbrojë shëndetin e qytetarëve, për të mos shkuar më pas vendi në një kolaps, ku askujt të mund të mos i jepet një ndihmë.

“E dini sa i kushton shtetit një pacient i shtuar? 500 euro në ditë, një person i formës së rëndë kalon 20 ditë, bëjini llogaritë vetë. Kush përgjigjet është shtetit”, tha Brataj.

Në studion e Report Tv, Brataj tha se vendi ynë akoma nuk ka arritur deri në masën e 70% të imunizimit të popullsisë, e ndërsa dha një lajm të mirë se COVID-i po pëson një vdekje klinike. Tregues për këtë është edhe fakti që aktualisht po dominon varianti Delta, dhe nuk po del një variant tjetër më i fortë për ta thyer.

“Akoma nuk kemi kapur 70% të imunizimit të popullsisë, virusi po shkon drejt vdekjes klinike, fakti që po predominon Delta tregon se nuk po del një mutacion më i fuqishëm se ky variant, vetë natyra e virusit që ka për natyrë ndryshimit, po shkon drejt vdekjes klinike”, tha ai.

Brataj ka komentuar edhe grumbullimin e 22 mijë tifozëve në stadium, ku tha se duhej të ishte kërkuar maska me detyrim në hyrje, në një kohë që ruajtja e distancës ishte e pamundur. Një gjë e tillë, tha Brataj, do të ketë pasojë në rritjen e rasteve me COVID, por shtoi se faji nuk është vetëm i organizatorëve, por edhe i vetë qytetarëve që kanë një përgjegjësi individuale.

“Numri i tifozëve dhe afërsia ndikojnë shumë në përhapjen e infeksionit, organizatorët të përgjigjen, prevalon shumë herë ndjenja kombëtare dhe ju kujtohet shumë mirë që shumë shtete e bënë Europianin me kapacitet të plotë dhe e patën efektin në rritje të të infektueave, s’duhet të tregojmë se kush e ka fajin, se të gjithë ata qytetarë e dinë që kush e ka faji. S’ke pse lë aq njerëz kur në fuqi rregullat janë në 30% e kapacitetit. Duhet të ishte kërkuar maska me ngulm, tek tuk kishte maska, por jo në masën e madhe. Pas 2 -3 javësh duhet të shikojmë rastet”, përfundoi Brataj.