Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 duke folur për buxhetin e vitit 2022 tha se do të ketë rritje të mbështetjes për familjet dhe individët në nevojë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.

“Në tërësi buxheti 2022 që qeveria shqiptare ka miratuar, kemi vendosur që të kemi një rritje të mburojës sociale dhe një rritje dhe konsoldim të mbështetjes për shëndetësinë. Dua të ndalem tek mbrojtja sociale dhe për të gjitha ato familje që përfitojnë nga programi ynë i ndihmës ekonomike dhe ne kemi vendosur të rrisim masën e ndihmës ekonomike me 10%. Për të gjitha ato familje që kanë mbi 3 fëmijë deri në 18 vjeç do të dyfishohet ndihma ekonomike. Ndërkohë që për fëmijët jetimë, gratë e dhunuara apo të trafikuara do t’u trefishohet ndihma ekonomike”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj Manastirliu tha se shëndetësia ka fokusin e vetë në buxhetin e vitit 2022 duke bërë me dije se nga 1 korriku i vitit që vjen do të rriten me 6% pagat për mjekët dhe infermierët në të gjithë vendin.

“Buxheti i shëndetësisë vjen me një buxhet të aplikuar për rritjen e vaksinave për t’iu përgjigjur të gjithë skenarëve që mund të na sjellë pandemia dhe të sigurojmë vaksinat e nevojshme. Ndërohë që një tjetër politikë e re por tashmë e konsoliduar ndaj mjekëve dhe infermierëve është rritja e pagave. Edhe për vitin 2022 do të ketë rritje page për mjekët dhe infermierët me 6% duke filluar nga 1 korriku për personelin mjekë dhe infermierë në të gjithë vendin”, bëri me dije Manastirliu.