Në muajin nëntor Shqipëria do të dalë në tregjet ndërkombëtare për të marr një borxh në shumën prej 500-700 milion euro. Sipas Ministre së Ekonomisë dhe Financave ky Eurobond do të përdoret për të financuar sektorët e ekonomisë. E ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’, Ibrahimaj tha se dalja nga tregu patjetër që ndikohet nga momente të caktuara dhe do të pritet momenti i përshtatshëm për të dalë në treg ndërsa garantoi një proces transparent. “Paratë do të përdoren pjesërisht për të financuar buxhetin, të gjithë nismat tashmë të ndërmarra: shëndetësinë, infrastrukturën dhe një pjesë tjetër do të ngelet në thesarin e shtetit me qëllim për t’u përdorur edhe vitin e ardhshëm. Pra, është një procedure e parashikuar nga ligji i buxhetit ku ka financim të brëndshëm dhe financim të huaj. Financimi i brëndshëm kryhet në daljet në treg të brëndshëm ndërsa financimi i huaj merret duke dal në tregjet kapitale ndërkombëtare.”- u shpreh Ibrahimaj.
Pjesë nga intervista: Tufa: Qeveria do të dalë për herë të pestë në tregjet ndërkombëtarë për të marrë një borxh të ri. Sa do të jetë ky borxh dhe për çfarë do të përdoren ato? Ibrahimaj: Tashmë është hera e pestë e emetimit të eurobondit. Është një procedurë e cila është patjetër shumë e rëndësishme për financimin e qeverisë. Emetimi i eurobondit ishte parashikuar që më parë, pra nuk është një surprizë që qeveria do të dalë së shpejti në eurobond. Vitin e ardhshëm pritet që tregjet të përkeqësohen, pritet që politikat lehtësuese dhe stimuluese që kanë ndjekur bankat qendrore në të gjithë Europën të fillojë të ngadalësohet. Është e rëndësishme që ne të dalim këtë vit në eurobond pasi normat e interest do të jenë më të ulta se ato të vitit të ardhshëm Sa i përket vlerës, ne parashikojmë që të marrim një eurobond nga 500-700 milionë lekë. Kjo do të varet shumë nga tregu. Dalja nga tregu patjetër që ndikohet nga momente të caktuara dhe ne patjetër që do të presim momentin e përshtatshëm që të dalim në treg me qëllim që të emetojmë një eurobond me kosto sa më të ulët dhe vlera dhe koha do të përcaktohet nga tregu dhe jo nga ne. Ne që nga fundi i tetorit do të jemi gati të dalim në pritje si nga baza ligjore, si nga të gjitha procedurat, që tregu të na tregojë se kur është momenti më i përshtatshëm.
Tufa: Sa transparencë do të ketë për këtë? Ibrahimaj: Ky është një proces tërësisht transparent. Dalja në tregjet e kapitaleve të huaja është tashmë hera e pestë që ndodh. Nuk ka asnjë pikëpyetje mbi transparencën e këtij veprimi. Edhe ne na jep siguri për sa siguri ofron qeveria shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Fakti që ne kemi emetuar disa eurobonde të suksesshme dhe që normat e interest kanë ardhur në ulje për këto eurobonde, maturitetet kanë ardhur në rritje do të thotë që qeveria shqiptare është gjithnjë e më e besueshme ndaj tregjeve ndërkombëtare për të investuar në bondet e kësaj qeverie.
Tufa: Për çfarë do të përdoren konkretisht këto para? Ibrahimaj: Paratë do të përdoren pjesërisht për të financuar buxhetin, të gjithë nismat tashmë të ndërmarra: shëndetësinë, infrastrukturën dhe një pjesë tjetër do të ngelet në thesarin e shtetit me qëllim për t’u përdorur edhe vitin e ardhshëm. Pra, është një procedure e parashikuar nga ligji i buxhetit ku ka financim të brëndshëm dhe financim të huaj. Financimi i brëndshëm kryhet në daljet në treg të brëndshëm ndërsa financimi i huaj merret duke dal në tregjet kapitale ndërkombëtare.
Tufa: Jemi pothuajse në fund të 2021, a mund të kemi disa detaje përsa i takon buxhetit të 2022? Ibrahimaj: Ne gjatë javëve të fundit kemi punuar intensivisht për hartimin e buxhetit, të projekt buxhetit afatmesëm, të tre viteve të ardhshmë dhe të kuadrit makroekonomik. Janë tre dokumenta shumë të rëndësishme të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që sigurisht kanë dashur një punë shumë të madhe pasi ky vit nuk është një vit normal procedurial por fillon me një program të ri qeveritar i cili duhet të mbështetet në buxhet. Patjetër që programi ësjtë shumë ambicioz dhe ne do të bëjmë të mundur të zbatojmë programin duke ruajtur parametrat e ligjit për buxhetin dhe duke ruajtur atë që është kërkuar nga FMN-ja, konsolidimin e financave publike. Gjatë dy viteve të kaluara, patjetër që treguesit kryesorë të financave publike patën luhatje dhe përkeqësime dhe këto luhatje ndodhën jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Ne jemi të vendosur që nga viti 2022 do të futemi në një fazë konsoliduese të financave publike. Do mundohemi të ulim borxhin, do të ulim deficitin.
Tufa: Sa është e garantuar që mund të shkojë ulja e borxhit? Ibrahimaj: Ne do të garantojmë një ulje të qëndrueshme të borxhit e cila do të lejojë që të kemi edhe rritje ekonomike. Patjetër që ekonomia nuk është matematikë. Ka nevojë për stimul, ka nevojë për nxitje në sektorët e duhur, ata që janë më produktivët. Gjatë vitit të kaluar dhe gjatë vitit aktual ka pasur një politikë ekonomike ekspansioniste ku ne kemi injektuar para në investime të cilat kanë sjellë këtë rritje dyshifrore ekonomike dhe kjo është si efekt i këtyre politikave ekspansioniste. Për këtë arsye, ulja e borxhit dhe deficitit do të vijë graduale dhe nuk mund të vijë e shpejtë pasi do të duhej të thoshim që ne do të balancojmë rritjen dhe treguesit. Megjithatë, treguesit që do të përfshihen në projekt buxhet afatmesëm do të parashikojnë një ulje të borxhin dhe ulje të deficitit.
Tufa: Sa i përket buxhetit, a është planifikuar fond për rritje pagash apo pensionesh? Ibrahimaj: Në programin e qeverisë parashikohet rritja e pagës për mjekët, infermierët dhe administratën publike dhe gjithashtu një rritje e pagës minimale. Të gjitha këto gradualisht fillojnë që prej vitit 2022 për t’u rritur më vonë gjatë viteve në vijim. Tufa: Kur bëhet fjalë për fundin e vitit, pensionistët janë stresa më sensitive që kanë dhe pritshmëritë më të larta. A do të mendohet në fund të vitit për shpërblime për ta? Ibrahimaj: Për qeverinë është prioritet dhënia e bonusëve për pensionistët. Edhe në vitet më të vështira, qeveria e ka gjetur mundësinë të financojë bonusin e pensionistit dhe ka marrë angazhimin që nga viti i ardhshëm ky zë të përfshihet si zë buxhetor dhe të mos ketë më pikëpyetje për dhënien e bonusit të pensionistit cdo vit.
Tufa: Ju jeni në nisje të punës në dikasterin e financave dhe ekonomisë, në çfarë gjëndje e gjeni atë? Ibrahimaj: Për mua Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk është një institucion i ri, është një institucion me të cilin unë kam punuar afër gjatë dy viteve të fundit por sigurisht edhe gjatë kohës që nuk kam qënë në varësi të saj pasi cdo gjë lidhet me të. Aty kam gjetur një ekip shumë të mirë, shumë të kualifikuar. Ka staf që punon mbi 20 vite aty që janë profesionistë në punën e tyre, e duan punën e tyre, shtetin e tyre dhe financat publike. Jam e bindur që me ekipin që kam gjetur dhe me ekipe të reja që do të vijnë, do të bëjmë një punë shumë të mirë. Tufa: Ju e quajtët që në krye të herës një punë të bukur në vazhdimësi por nga ana tjetër dhe një punë sfiduese, pjesë e sfidës përtej atyre që analizuam cila është tjetër? Ibrahimaj: Ministria e Financave dhe Ekonomisë është një nga institucionet më të mëdha dhe më të rëndësishme dhe angazhimin që kërkon ky pozicion patjetër që e largon ministrin/ministren nga jeta e vetë personale dhe familjare. Gjatë viteve që do të jem në drejtimin e saj, sigurisht që do të jetë një kohë që do t’i dedikoj punës dhe që do t’i mungojë familjes.
Tufa: Ju keni dy fëmijë dhe orare më të zgjatura do ju shoqërojnë edhe tani, çfarë do ju mungojë më tepër në kohën më pak të lirë? Ibrahimaj: Koha për fëmijët sigurisht që është ajo më e vështira për tu lëshuar pasi sigurisht që kohën për vetë nuk diskutohet që nuk do ta kem më. Unë kam dy fëmijë,ata janë në fazën para adoleshenciale të cilët kanë nevojë për vëmendjen e prindit kështuqë të gjithë kohën që do të më ngelet jashtë punës patjetër qe do ja dedikoj fëmijëve të mi. Tufa: Jashtë asaj cka folëm deri tani, unë do doja një opinion tuaj edhe me aktualitetin politik. Një mandat i tretë për PS-në përballë një opozite që ka problemet e saj, si e shihni mandatin e tretë përballë opozitës me në krye Lulzim Bashën? Ibrahimaj: Mandatin e tretë të qeverisë e shoh si një sfidë me veten dhe një sfidë me objektivat që ne i përcaktojmë vetes. E shoh si një sfidë ku duhen realizuar të gjithë ato nisma që janë ndërmarrë prej dy mandatesh tashmë. Nëse do të konsideronim mandatin e parë si vënien e themeleve të një strukture të re ndërtimi, ai na ndihmoi ti vendosim ato. Mandati i dytë na ndihmoi të vendosnim karabinanë dhe për të pasur një strukturë mjaft të qëndrueshme dhe mandati i tretë për të përfunduar ndërtimin dhe sfidën e kemi më shumë me veten tonë. Konkurrenca më e vështirë është ajo që i vë vetes. Në të gjithë karrierën time sfidat kryesore i kam pasur me veten time dhe jo me çfarë më rrethonin konkurrentët. Kam kërkuar gjithmonë më shumë nga vetja dhe nuk kam qënë asnjëherë e kënaqur me çfare kam arritur. Kjo është një frymë e përgjithshme që ne të kërkojmë gjithnjë e më shumë nga vetja.
Këtë ja detyrohemi vetes, popullit, fëmijëve tanë dhe të ardhmes së popullit. Tufa: Si ndiheni në një kabinet që ka pjesëmarrjen më të madhe të grave? Ibrahimaj: Unë mendoj që kryeministri ka bërë zgjedhjen e tij bazuar në personat teknikisht më të mirë dhe jo për arsye të gjinisë. Patjetër që si kabinet që ka 70% gra dhe si grua,mendoj që do të kemi me kujdes të veçantë për çështjen e barazisë gjinore, për cështjet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje dhe për politika të cilat ulin diskriminimin. Këtë duhet ta bëjmë sepse jemi gra dhe duhet të cojmë përpara zërin e gruas dhe emancipimin e gruas në Shqipëri. Këtë sigurisht që e kemi për detyrë edhe ndaj gjithë grave dhe vajzave që na shohin si model dhe duhet të garantojmë që për ato vendi të jetë më i mirë dhe më i sigurt. BW