Rregullatori evropian ka njoftuar se do të fillojë brenda pak ditësh ekzaminimin e pilulës antiCOVID-19 e prodhuar nga laboratori amerikan Merck, duke hapur rrugën për një aplikim të mundshëm të ardhshëm për autorizim në Bashkimin Evropian.
“Ne do të konsiderojmë fillimin e një rishikimi të vazhdueshëm të këtij ilaçi në ditët në vijim”, tha Marco Cavaleri, kreu i strategjisë së vaksinave në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA). “EMA ka marrë parasysh rezultatet e para të komunikuara nga kompania Merck në lidhje me këtë ilaç të ri”, shtoi Cavaleri gjatë një konference për shtyp.
Merck tha javën e kaluar se, sipas një prove klinike, ilaçi i tij, i quajtur molnupiravir, përgjysmoi rrezikun e shtrimit në spital dhe vdekjes për pacientët me COVID-19, që do të ishte një përparim i madh në luftën kundër pandemisë. Laboratori amerikan njoftoi të premten se kishte në plan të aplikonte së shpejti në SHBA për autorizimin për tregtimin e pilulave.
Procesi i rishikimit të vazhdueshëm i lejon EMA-s të rishikojë të dhënat e sigurisë dhe efikasitetit të vaksinave, pasi ato bëhen të disponueshme, edhe para se të bëhet një kërkesë zyrtare për autorizim, e paraqitur nga prodhuesi. Qëllimi i këtij procesi është të shpejtojë vlerësimin e një aplikacioni për autorizim marketingu, pasi të jetë formuluar. Miratimi mund të zgjasë disa muaj.