Në Ditën Botërore të të Moshuarve nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti inspektoi punimet në qendrën sociale “Të qëndrojmë së bashku” në Kombinat. Bashkë me disa të moshuar, Ruseti mbolli edhe disa pemë limoni të dhuruara nga Teatri Metropol në oborrin e qendrës sociale.
“Kjo është vetëm një nga qendrat tona në Tiranë, ku ne u shërbejmë më shumë se 400 të moshuarve, të cilët për arsye social-ekonomike, e kanë të pamundur që të shërbehen në shtëpi dhe i drejtën qendrave tona. Por jo në të gjitha rastet, ka edhe raste kur ata kanë vetëm nevojë për një kujdes social dhe psikologjik i cili ofrohet nga stafet tona. Ndërkohë që sikur e thashë, jo vetëm në qendrat tona, por tashmë Bashkia Tiranë ofron shërbim për më shumë sesa 100 të moshuar në ambientet e qendrave sociale”, u shpreh nënkryetarja.
Më tej ajo falenderoi Teatrin e Metropolit për pemët që dhuroi për të moshuarit e qendrës së re sociale “Të qëndrojmë së bashku”. “Jemi shumë mirënjohës Teatrit Metropol i cili gjeti këtë ditë specifike për ta zbukuruar qendrën tonë sociale me kapacitetet e rritura, duke i dhuruar disa pemë limoni të cilat patëm mundësi t’i mbillnim bashkë me të moshuarit, të cilët jo vetëm kontribuuan për mbjelljen e tyre, por u kujdesën dhe premtuan që do kujdesen dhe në vijim. Më shumë vëmendje për të moshuarit, sidomos kur vjen puna për më shumë kujdes dhe dashamirësi ndaj tyre”, nënvizoi Ruseti.
Drejtoresha e Teatrit Metropol, Armela Denaj tha: “Është detyrë sociale jo vetëm qytetare e jona që të jemi në ndihmë të atyre që kanë më shumë nevojë dhe në rastin konkret janë pikërisht shtresa e të moshuarve të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në kohën kur kanë qenë, dhe tani është detyra jonë që të japim kontributin sado të vogël për t’ja bërë jetën atyre më të lehtë të ndjejnë më shumë dashuri. Shpresojmë që kur këto pemë të rriten dhe ata t’i shohin, të ngjallin sado pak buzëqeshje apo rehati në mendjet e tyre”.
Qendra e re sociale në Kombinat, është 3 herë më e madhe se ajo që ishte, me kapacitet të shtuar për 3 herë më shumë të moshuar që mund të akomodohen aty.