Qeveria ka vendosur që punonjësit e strukturës anti-korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë të jenë të mirëpaguar me trajtim financiar të posaçëm.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi se ky vendim është marrë në mënyrë që punonjësit e kësaj strukture të mos tundohen para korrupsionit. Koordinatorët e këtij rrjeti që do të operojnë në 47 institucione do të paguhen njësoj sa zv/drejtori i institucionit ku ata do të vendosen për të monitoruar.

“Lajmi i dytë i mirë ka të bëjë me suksesin e luftës kundër korrupsionit. Para dy ditësh miratuam krijimin e drejtorisë anti-korrupsion. Sot për të ruajtur integritetin e saj njësia përgjegjëse do ketë trajtim financiar të posaçëm për të mos u tunduar nga korrupsioni me qëllim luftën frontale ndaj korrupsionit në administratën publike.

Ndërsa koordinatorët e rrjetit anti-korrupsion në 47 institucione shtetërore do jenë të mirëpaguar dhe në strukturë do jenë të barabartë me zv/drejtuesin e institucionit që do monitorojnë”, tha Ulsi Manja.