Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa priti sot në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf. Gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e ATSH-së, u vlerësuan marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në disa fusha si në kulturë, ekonomi, agroturizëm etj. Zhupa u ndal te bashkëpunimi mes ATSH-së dhe agjencisë më të madhe gjermane të lajmeve, DPA, një bashkëpunim ky që prej 25 vitesh. Në fjalën e saj, drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së nënvizoi rëndësinë dhe rolin e agjencive zyrtare të lajmeve përballë “fake news”.
“Në kohën e pandemisë, të gjithë e kthyen kokën nga agjencitë tona pasi ne jemi i vetmi burim i besueshëm informacioni. Ndaj lufta jonë është që të jemi të vërtetë, të paanshëm dhe të saktë në dhënien e informacionit”, deklaroi Zhupa. Ndër të tjera, Zhupa u fokusua te një projekt me rëndësi për ATSH-së, siç është inventarizimi, ruajtja dhe digjitalizimi i arkivës së fotos, një thesar jo vetëm për institucionin, por edhe një memorie historike për Shqipërinë.
Gjatë bashkëbisedimit, Drejtoresha e përgjithshme e ATSH u shpreh se arkiva numëron rreth 250 000 foto të cilat datojnë që nga viti 1945. “Ato pasqyrojnë etnografi, histori, kulturë dhe etapat në të cilat ka kaluar vendi dhe shumë aspekte të tjera”, evidentoi ajo. Zhupa e informoi ambasadorin Zingraf lidhur me punën që po bën institucioni i drejtuar prej saj për konservimin dhe dixhitalizimin e arkivës së fotove. Ajo kërkoi mbështetjen financiare të ambasadës gjermane për realizimin e kësaj sfide. Nga ana e tij, ambasadori Zingraf shprehu mbështetje për këtë projekt që ka për qëllim që ta bëjë të aksesueshme arkivën e ATSH-së për opinionin e gjerë, por edhe brezin e ri.
Gjatë takimit, ambasadori Zingraf u ndal te mbështetja që qeveria gjermane ka dhënë ndër vite në Shqipëri, në fushën e trashëgimisë kulturore. Programi për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Jashtme Federale angazhohet në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në mbarë botën. Në Shqipëri Ministria e Jashtme Federale ka mbështetur që prej vitit 1989 njëzet projekte për ruajtjen e vlerave kulturore, sikurse janë restaurimi i Kishës së Shën Antonit në Kepin e Rodonit, restaurimi i mozaikut paleokristian në Parkun Antigonea dhe mbrojtja e ikonave në Korçë. Diplomati gjerman tha në takimin me drejtoreshën e ATSH-së se ky projekt dëshmon një dimension shumë interesant të agjencisë së lajmeve dhe do të jetë për diskutim në axhendën e punës së tij sapo të miratohet buxheti i ardhshëm. Ambasadori Zingraf pa nga afër edhe ambientin ku ruhet arkiva fotografike e ATSH si buletine dhe negativ fotosh që datojnë që nga krijimi i institucionit.