Kush priste që Parma ta fillonte me zhurmë kampionatin e Serie B u zhgënjye thellësisht. Vetëm dy fitore në shtatë ndeshje dhe nëntë pikë, e fundit prej të cilave u mor në fushën e SPAL. Ndoshta do të ishte më mirë të flisnim për dy pikët e humbura, për mënyrën se si zhvillohej loja. Edhe pse në epërsi të dy golave, emilianët u barazuan në minutat e fundit, duke hedhur tutje një fitore që do të kishte qenë shumë e rëndësishme për renditjen dhe moralin.

Zgjedhjet e trajnerit Enzo Maresca gjithashtu përfunduan në qendër të kritikave. Sipas “Gazzetta dello Sport”, tashmë pozicioni i tij është në diskutim. Zyrtarisht, stoli i Maresca nuk është në rrezik, por, siç ndodh zakonisht në situata të tilla, në mjedisin e Parmës po marrin masa paraprake me disa telefonata eksploruese. Njëra prej tyre iu bë Fabio Cannavaro, i freskët nga lamtumira prej kinezëve të Guangzhou Evergrande, ku ka pasuruar bagazhin e tij kulturor dhe futbollistik.

Tani për tani është vetëm një sugjerim, gati për t’u bërë diçka më shumë, nëse tendenca negative e Parmës vazhdon më tej. Për më tepër, Cannavaro do të gjente ish-partnerin e tij te Parma, Juventusi dhe në ekipin kombëtar, Gigi Buffon, i cili disa muaj më parë zgjodhi të ndiqte zemrën për ta mbyllur karrierën pikërisht aty ku e nisi. Më të ndërlikuara janë gjurmët që të çojnë te Gennaro Gattuso dhe, mbi të gjitha, tek Andrea Pirlo.