familjet

Eshtë shumë në modë këto kohë, që për të vërteta shumë të thjeshta në lidhje me realitetin në Shqipëri, që nga shëndetësia e deri tek ekonomia dhe financat, disa media t’u referohen burimeve të huaja, të cilat nga ana e tyre u referohen burimeve nga Shqipëria, duke e shndërruar përpjekjen e informimit të qytetarëve, në një lojë “telefon i prishur”, që jo rrallë herë sjell tek lexuesi fakte të shtrembëruara, pa dashje apo me dashje qoftë.

Diçka e ngjashme i ka ndodhur së fundi revistës “Monitor”, e cila e ka praktikë pune mbështetjen e artikujve të vet, tek institucionet ndërkombëtare të statistikave, apo edhe faqeve të internetit që merren me to. Duke iu referuar Eurostat, “Monitor” shkruante sot se në Shqipëri çmimi i energjisë elektrike është rritur me 15% nga viti 2015 në vitin 2019. ”Sipas të dhënave të Eurostat, në krahasim me 6-mujorin e parë 2015, çmimet e energjisë elektrike për familjarët (pa përfshirë taksat) për Shqipërinë janë rritur me rreth 15% deri në fund të 2019-s. Në 6-mujorin e parë të 2015-s, çmimi mesatar ishte 0.0676 euro për kilovat orë dhe në gjysmën e dytë të 2019-s arriti në 0.0778 euro”, shkruan Revista Monitor, duke dalë në konkluzionin se çmimi është rritur me 15%.

Mirëpo, vetë qytetarët shqiptarë, të cilët energjinë e paguajnë me monedhën kombëtare që është LEKU, nuk kanë parë një rritje çmimi në periudhën që raporton Monitor.

Atëherë, cila është e vërteta?

E vërteta është se, që nga 2015 (kur u bë realitet Reforma në sektorin e Energjisë), në Shqipëri nuk ka patur rritje të çmimit të energjisë. Çmimi ka qenë 9.5 lek /kwh dhe sot është 9.5/kwh. Atëherë, ku bazohet revista tek raporton rritje të çmimit? Me sa duket, “kleçka” që u ka shpëtuar qëndron në faktin që Eurostat, raportimet e veta i bën në monedhën Euro. Dhe nëse Euro në vitin 2015 ka patur një vlerë prej 137 lek, në vitin 2019, kjo vlerë kishte rënë ndjeshëm për shkak të zhvlerësimit dhe 1 Euro, këmbehej me 123 lek. Që do të thotë se leku në katër vite është forcuar.

Dhe si reflektohet tek çmimi? Me kursin e këmbimit të vitit 2015, 9.5 lek kishin një vlerë prej 0.069 Euro për shkak se Euro kushtonte më shtrenjtë. Në vitin 2019, e njëjta vlerë e çmimit të energjisë që kishte mbetur i pandryshuar, tashmë përkthehej në 0.077 Euro. (Këmbimi i euros në vitin 2015 dhe 2019 marrë nga Banka e Shqipërisë) .

Nëse raportimi do të ishte bërë me monedhën me të cilën shqiptarët e paguajnë Energjinë, apo duke iu referuar statistikave të institucioneve shqiptare, prej të cilëve i merr informacionet edhe Eurostat, me siguri nuk do të kish ndodhur kjo ngatërresë e revistës Monitor.

Nga ana tjetër, ajo që nuk thuhet është fakti tjetër: Shteti vijon të paguajë rreth 30 milionë dollarë çdo vit si kompensim energjie për shtresat në nevojë! Gjithashtu, ajo që bie në sy nga vetë shifrat e Eurostat në 2019 është se Shqipëria ka çmimin ndër më të ultët në Rajon për familjarët dhe ndër më të lartët për biznesin, duke iu përmajtur kështu parimit të majtë që është thënë shpesh nga kryeministri Rama ”Kush fiton më shumë, paguan më shumë, kush fiton më pak, paguan më pak”bizneset familjet