Agroturizmi është trendi i ri që po zhvillohet në vendin tonë, si modeli më modern jo vetëm në ekonominë rurale, por në ekonominë shqiptare.
Politikat mbështetëse të qeverisë, kanë arritur të inkurajojnë dhe nxisin banorët kryesisht në zonat rurale, që merren me agroturizëm, që është një industri me të ardhme të jashtëzakonshme në Shqipëri, për të gjithë ata që investojnë, në këtë sektor.
Përmes programit “100 fshatrat” zona të të ndryshme të vendit nga jugu e deri në veri të vendit janë përfshirë në programe të integruara investimesh me impakt zhvillimin e agroturizmit.
I tillë është dhe fshati Fishtë në Lezhë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca publikoi disa statistika të rëndësishme të ekonomisë blegtorale në këtë zonë, teksa shtoi se, bujqësia është edhe më e zhvilluar në Fishtë dhe bashkë me bukuritë natyrore, janë një potencial i rëndësishëm për zhvillimin e agroturizmit.
Krifca tha se, në Fishtë ka 115 ferma blegtorale, 105 krerë gjedh, 300 krerë të imta, 5000 shpendë, 220 koshere bletësh.
Ministrja solli pamjen e një pjese të këtij fshati teksa u shpreh se “shtëpizë e ngrohtë me diell brenda, pak vreshtë, pula e pata që çukisin, disa krerë në hangar dhe disa koshere me bletë. Një fshat në një foto.”