Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka komunikuar shkarkimin nga funksioni i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Flamur Nokës si dhe e ka paralajmëruar për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar.
Sipas kryedemokratit, arsyeja e këtij vendimi është “shndërrimi i mbledhjes së kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena”.
“Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama“, shkruhet në njoftimin për mediet.