Nga ARTUR AJAZI/ Sali Berisha i ka gjetur një emër procesit të takimeve të tij me demokratët berishistët.E ka quajtur “Foltore”, nga ku po shpalos gjithë skenarin e shkruar “mjeshtërisht” sipas tij, për të arritur sërish majën e partisë. Sallat e mbushura me berishistë, thirrjet, puthjet e dorës madje edhe makinës nga disa fanatikë, brohoritjet “Berisha-Berisha”, “Basha ik” apo dhe tendenca e disave për të nisur “kryengritjen në PD” dhe më gjerë, mbushja e rreshtave të para me ish-drejtorë, të ngjet në fakt me një “Faltoren”. Duket sikur ata që mbushin sallat e Doktorit, e shohin atë si “Peshkop”, dhe ata si “besimtarë të devotshëm”. Brënda sallave të mbyllura (të cilat nuk dihet nga kush paguhen) përsëriten dhe ripërsëriten akuzat ndaj Bashës, Ramës, denoncohet “pakti i fshehtë dhe bashkëqeverisja”, dhe u premtohet mitingashëve “rikthim në pushtet, pavarësi e PD, luftë amerikanëve”. Herë-herë, takimet e Berishës, ngjasin me grumbullimet e Haxhi Qamilit, tek i shpallte luftë me armë në dorë qeverisë dhe pavarësisë Shqipërisë, për hatër të Turqisë. Askush nuk di të thotë, pse Sali Berisha e ka quajtur “Foltore” nismën e tij për rikthimin në krye të PD, askush nuk di të thotë, çfarë kërkon të arrijë Sali Berisha me betejën e tij, jo vetëm ndaj Bashës, por edhe ndaj SHBA-ve.Gjithçka që mund të arrijë ai përmes vandalizmave, do të jetë një HIÇ, përballë vullnetit të shumicës së shqiptarëve, dhe mirënjohjes së tyre ndaj partnerit tonë stradegjik, SHBA-së. Por Berisha ka arritur ti karikojë berishistët, dhe tu mbushë mëndjen atyre se “unë dhe vetëm unë, mund t’ju sjell sërish në pushtet”. Realisht, ai po pergatit dramën më të madhe për Partinë Demokratike, dhe po gatuan shkatërrimin nga themelet të asaj force politike. Duke shfrytëzuar ekzaltimin e berishistëve, ish-kryetari “non-grata” deri sot nuk ka sqaruar, si do të zgjidhë ai ngërçin e krijuar me amerikanët, si do të rihapë partinë, si do të shpjerë demokratët drejt pushtetit pa asnjë mbështetje ndërkombëtare, dhe plot pyetjeve të tjera. Sali Berisha ka zgjedhur të keqpërdorë ithtarët dhe fanatikët, duke vënë në krye të tyre ish-drejtorët dhe ish-zyrtarët e djeshëm, të gjithë të akuzuar dhe damkosur si të korruptuar, të pasuruar gjatë pushtetit të tij. Përmes brohoritjeve berishiste, ai ka shpallur nga Kavaja (qytet të cilin sa ishte në pushtet e la në harresë) kandidaturën e tij për kryetar PD-je. Ai po tenton të bëjë brënda asaj partie një “1997 të dytë”, duke lëshuar gjithë bateritë dhe tentakulat e tij propogandistike për të përçarë fillimisht grupin e deputetëve të PD.Berisha i ka kthyer berishistët, në “vegla qorre dhe kamikazë” të vendimeve dhe qëndrimeve tij, duke treguar se nuk ndalet para asgjëje, për të arritur edhe njëherë atje ku ishte në 2013. Ai ka krijuar tanimë kultin e “Liderit të pagabueshëm, prijësit legjandar”, duke imituar Enver Hoxhën në çdo hap. Foltorja e tij, mblodhi veç berishistëve, gjithë mëkatarët e qeverisjes tij, ata që kanë vënë pasuri të madhe dje, dhe që shpresojnë që një ditë Berisha ti risjellë sërish në pushtet. Ata e kanë si “Faltore” sallën e takimeve të Doktorit, nga ku shpresojnë se do të mund të lajnë mëkatet e tyre, duke mbrojtur kryemëkatarin që e quajnë me mburrje “Udhëheqës i pagabueshëm dhe i përjetshëm”.