Gledis Nano do të marrë zyrtarisht ditën e sotme detyrën. Ai do të prezantohet ditën e sotme në një ceremoni në Drejtorinë e Përgjithshme, pasi erdhi në këtë post pas dorëheqjes së Ardi Veliut.
Kush është Gledis Nano?
Gledis Nano ka qenë pjesë e bluve prej shumë vitesh, ndërsa ka mbajtur detyra të rëndësishme, pavarësisht se është kujdesur për një profil të ulët publik. Që prej 17 shkurtit 2016 ka qenë në krye të Drejtorisë së Antiterrorit, ndërsa ka rënë disa herë në sy për çështje tejet delikate. Gledis Nano, si pjesë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, por jo si drejtues, është kujdesur për njërën prej dosjeve më të bujshme të viteve të fundit, atë të “imamëve” që u arrestuan dhe dënuan për terrorizëm, në vitin 2003. Kjo ngjarje ka pasur jehonë në atë kohë dhe i dha ngritje të lartë Nanos. Një tjetër dosje e rëndësishme që Gledis Nano ka hetuar ka qenë ajo e celulës terroriste të qeverisë iraniane, të cilët kishin planifikuar një sulm ndaj lëvizjes opozitare që jetojnë në Shqipëri, në vitin 2019. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, Nano ka udhëhequr riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet famëkeqe të Sirisë, operacione që kanë pasur nivel të lartë vështirësie. Puna e kryer si drejtues i Antiterrorit, i rriti kredencialet Gledis Nanos edhe në sytë e amerikaëve, të cilët nuk kanë hezituar ta vlerësojnë. Ai ka pasur bashkëpunim të ngushtë gjatë ushtrimit të detyrës me selinë pranë rrugës së Elbasanit.
Gledis Nano e ka kaluar Vettingun e Polisië dhe tashmë në detyrën e re, do të përballet me sfida të vështira, të cilat vijnë të trashëguara nga paraardhësi i tij, Ardi Veliu. Kriminaliteti, trafiku i narkotikëve dhe siguria publike janë shtyllat ku pritet të fokusohet drejtuesi i ri. Nano vjen në këtë detyrë pas një paraardhësi që është sulmuar vazhdimisht për ngjarjet kriminale që kanë ngelur të pazbardhura dhe skandaleve. Ardi Veliu, zgjodhi të tërhiqej nga Policia e Shtetit pa e përfunduar mandatin dhe pa pretenduar një mandat të dytë, ndërsa dorëheqjen ia komunikoi kryeministrit Edi Rama. Kreu i ekzekutivit vlerësoi rolin e tij për disa vite në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit.
Me firmën e drejtorit të ri pritet të firmosen edhe ndryshime në disa drejtori të policisë në qarqe, të cilat vijnë në kuadër të ristrukturimit të Policisë së Shtetit për afatin 100 ditor të dhënë nga kryeministri Rama. Në koridoret e Drejtorisë së Përgjithshme tashmë kanë filluar zërat për lëvizje të mundshme, por gjithçka pritet të bëhet kur drejtori i ri të fillojë punën.
Ardi Veliu u fut dje në listën e Drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që nuk e përfundoi dot mandatin e plotë 5-vjeçar në këtë post. Ditën e djeshme, Veliu i dorëzoi Kryeministrit Edi Rama letrën e dorëheqjes, ku shkruante se do i përkushtohej më shumë familjes. Kjo dorëheqje erdhi 10 ditë para përfundimit të afatit 100 ditor që kryeministri Edi Rama kishte vënë për riorganizimin e Policisë së Shtetit dhe vendosur prioritete të qarta, e ndërsa në reagimin e saj, PD tha se tashmë “Në krye të Policisë së Shtetit sot ka një bandit më pak”.