Ministria greke e Shëndetësisë deklaroi sot se vaksina e gripit mund të injektohet edhe në të njëjtën ditë me vaksinat e tjera. Autoritetet e vendit fqinj kanë nisur fushatën e vaksinimit kundër gripit.
Autoritetet njoftuan në 30 shtator fillimin e periudhës së vaksinimit për virusin e gripit, duke theksuar se ekziston shqetësimi për ndërveprimin midis gripit dhe Covid.
Sipas tyre, vitin e kaluar, me respektimin e masave për pandeminë e koronavirusit, nuk u regjistruan shumë raste, ndërsa theksuan se vaksina e gripit është e ndryshme çdo vit për shkak të mutacioneve të virusit.
Zyrtarët grekë të shëndetësisë nënvizuan se vaksina e gripit mund të injektohet në të njëjtën kohë me vaksinën e koronavirusit.
“Nuk ka rekomandime për mbajtjen e intervaleve midis vaksinave. CDC dhe të gjitha organet shkencore kanë deklaruar se vaksina kundër gripit mund të merret në të njëjtën kohë me vaksinën e koronavirusit, si dhe vaksinat e tjera” mbyllet njoftimi.