Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Krujë, ku rreth 500 qytetarë përfunduan në spital me shenja helmimi.

Në një konferencë për mediat, teksa prezantoi dhe një vendim të qeverisë, Manastirliu tha se strukturat janë në pritje të analizave bakterologjike.

“Dua t’ju jap një informacion, nga raportimet e ISHP dhe operatorët e kujdesit vendor të Krujës, janë ende në pritje të analizave bakterologjike. Nga ana tjetër dua të theksoj se ditën e sotme janë 14 qytetarë, përfshi këtu fëmijë dhe adoleshentë që po marrim shërbim mjekësor pranë spitalit të Krujës. Fatmirësisht fluksi ka ardhur në rënie. Analizat bakterologjike kërkojnë kohën e tyre.”, pohoi ajo. Teksa u pyet nga gazetarët për faktin nëse do të ketë një tjetër qendër diagnostikimi si Dispanceria, ministrja tha; “Në këtë pikë, progresi sa i përket transparencës së ofrimit të shërbimeve është i madh dhe i dukshëm. Çdo ekzaminim që kryhet në shtet, realizohet përmes mjekut të familjes. Çdo qytetar merr shërbim në kohë dhe me cilësi, ata nuk presin në radhë. Sa i përket Dispanserisë, kemi investuar që ajo të jetë me standarde bashkëkohore. Aty do të shtohet një aparaturë e re në strukturën tonë, që të kemi një ulje të kohës së pritjes, për qytetarët që kanë planifikuar, dhe për rastet urgjente.”.