Nga Lorenc Vangjeli/ Doktoreshë Albana Fico është një emër shumë i njohur në Tiranë. Në një kohë tjetër, ajo dhe shumë kolegë të tjerë si ajo, do të ishin thjesht ajo pjesë e segmentit që e ndan njeriun nga vdekja në rastin më të keq apo në përmirësimin e cilësisë së jetës, në rastin pak më të mirë. Pandemia e bëri të udhës që Doktoreshë Fico e shumë të tjerë si ajo, të jenë pjesë e menusë së shpresës në “gostinë” e frikës që solli virusi. Por kujtesa njerëzore është më e shkurtër se një hapje-mbyllje sysh; një gjë e tillë është edhe bekim, edhe mallkim për qënien njerëzore. Ndaj për shkak të harresës, Doktoreshë Fico dhe kolegët e saj janë përfshirë në një sfidë sa dramatike, aq edhe komike për të bindur popullsinë për vaksinimin. Kjo është një sfidë e frikshme, me shumë armiq imagjinarë dhe me vetë absurdin përballë, që në Shqipëri, e cila sillet shpesh si atdhe i absurdit, është një betejë e humbur. Sepse si rregull dhe jo si përjashtim fiton gënjeshtra e shndërritshme dhe jo e vërteta e vrazhdë. Sepse çdo i paditur ka epërsi në çdo lloj debati.

Përballë dilemës: ndihmon apo dëmton vaksina, ata që besojnë në komplote ndërkombëtare, në teori konspiracioni dhe në fantazi plot gangrenë logjike, edhe pse janë minorancë, janë më të zhurmshëm dhe më interesantë për t’u dëgjuar. Marrëzia vesh gjithmonë kostum të bukur. Ata që dinë pak dhe flasin shumë i gjen kudo, në Paris, në Romë, në Tiranë, në New York dhe në varrezat e këtyre qyteteve, kur ka ndodhur që i ka thirrur në apel vetë karma. Ata janë në të drejtën e tyre që të mos e pranojnë vaksinimin, por është e drejta e pjesës tjetër të shoqërisë që t’i refuzojë në të njëjtat ambiente dhe në të njëjtin vullnet për të marrë shërbime. Duhet kuptuar se një i vaksinuar është një armëmbajtje pa leje që vjen vërdallë qoftë për të vrarë veten, qoftë për të vrarë të tjerë. Dhe si çdo armë, duhet ndaluar duke e mirëkuptuar madje.

Antivaksinistët janë edhe të dhunshëm, edhe imponues, edhe fyes. E kanë bërë copë doktoreshë Albanën dhe kolegët e saj në rrjete sociale. Kanë dërmuar cilindo që mendon ndryshe me lumenj vreri dhe me gurë ndëshkimi. Ndër ta, edhe njerëz që nuk dinë të numërojnë dhe të shënjojnë as shqisat e tyre, betohen se vaksinat kanë veç të tjerash edhe përbërës nga gjaku i fetusit të lopëve që abortojnë. Kjo fantazi e pacak, që shkon përtej kufirit të pafundëm edhe të vetë idiotësisë, e ka të pamundur të kuptojë se ka një shumicë të heshtur, një shumicë të padiskutueshme, përfshi edhe ata vetë nëse i thërret karma, që herët a vonë do të detyrohet të thonë në gjunjë: Unë e dua doktoreshë Albanën!