Pikëpyetje të reja mbi Covid-19 në Kinë. Sipas një hulumtimi të ri, provinca e Hubeit ka bërë porosi për teste PCR shtatë muaj para se të raportohej rasti i parë me virusin SARS-CoV-2. Sipas një kërkimi të kryer nga organizata Internet 2-0, Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë në Vuhan, Instituti Hubei i Kafshëve dhe Mjekësisë Veterinare me bazë në Akademinë e Shkencave Bujqësore Hubei dhe Qendra Hubei për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ishin disa nga institucionet që bënë porosi për teste PCR.

Kjo i shton dyshimet e ngritura prej kohësh se Kina u përpoq ta mbulonte përhapjen e epidemisë, që më pas do të kthehej në pandemi.

Sipas hulumtimit, të cilit i referohet Bloomberg, konsumimi i testeve PCR në provincën Hubei u dyfishua nga 5.7 milionë dollarë në 2018 në 10.4 milion dollarë në 2019. Porositë filluan të rriten në maj 2019 dhe arritën kulmin në korrik 2019.

“Bazuar në dokumentet e analizuara, ne arritëm në përfundimin se ekziston një probabilitet i lartë që virusi të jetë përhapur në Vuhan në verën e vitit 2019″, raporton Internet 2-0.

Testet PCR janë zhvilluar për herë të parë në 1983, dhe përveç testimit për COVID-19, ato përdoren edhe për sëmundje të tjera, përfshirë HIV, tuberkulozin, kollën e mirë dhe sëmundje të ndryshme virale.

Kina raportoi rastin e parë të pneumonisë me “origjinë të panjohur” në Ëuhan në Organizatën Botërore të Shëndetit më 31 dhjetor 2019, dhe paraqiti të dhëna gjenetike për të më 5 janar 2020. Në 11 janar u raportua vdekja e parë dhe paralajmërimi për përhapjen e infeksionit u lëshua nga Kina vetëm në 20 janar.