Trajneri Edy Reja duket se e ka ndarë mendjen për formacionin startues ndaj Hungarisë, në kualifikuesen vendimtare në grup, që starton sonte në 20:45, në “Puskas Arena”. Nëse dje, në konferencën për shtyp tha se kishte ende disa dilemma, sot paradite ka “vulosur” 11 lojtarët titullarë.
Në fakt, dilemat kishin të bënin me krahun e majtë, me balotazh mes Trashit dhe Ivan Balliut, të kthyer në kombëtare. Në fund ka triumfuar ish-lojtyari i Partizanit. Edhe në mesfushë kemi një risi, krahasuar me kualifikueset e muajit të kaluar. Nuk do të startojë Nedim Bajrami, por Endri Çekiçi. Në këtë repart, sikurse dihet, mungon Abrashi, “mushkëria” e lojës kuqezi.
Emër për emër dhe repart për repart, startuesit pritet të jenë këta: Në portë, kapiteni Berisha është i padiskutueshëm. Mungesa e aktivizimit të Strakoshës e ka penalizuar dukshëm atë, edhe pse duhet pranuar se edhe Berisha është zëvendës te Torino, nuk luan. Në këtë rast i besohet eksperiencës.
Mbrojtja do të përbëhet nga pesë lojtarë, kur sulmon kundërshtari, ndërsa transferohet me tre kur nis ofensiva e kuqezinjve tanë. Kështu, treshja e palëvizshme është Gjimshiti, Kumbulla dhe Ismajli. Nga krahët, në rolin e “pistonit”, do të pozicionohen Hysaj dhe Trashi. Të dy këta i bashkohen mesfushës, kur sulmon Shqipëria. Pra, nga 5-3-2 në fazën difensive, formacioni i kuqezinjve shndërrohet në 3-5-2 në fazën ofensive.
Në mesfushë, trajneri Reja ka preferuar tre emra: Gjasula, Çekiçi dhe Bare. Pra, nuk ka vend për Bajramin, prurjen e re nga Empoli, që spikati në kualifikueset e shtatorit. Sulmi i besohet dyshes Cikalleshi-Uzuni. Kavajasi është goleadori ynë në këto kualifikuese, ndërsa beratasi ka demonstruar formë të shkëlqyeshme e të vazhdueshme me Ferencvaros. Prandaj, Reja ka preferuar atë para Manajt dhe Brojës.