Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Evis Kushi është ditën e sotme në Bolonja të Italisë, ku është firmosur marrëveshja mes Universitetit të Mjekësisë Tiranë dhe Universitetit të Bolonjës për diplomat e dyfishta të doktoraturës. “Sot, në Bolonja të Italisë, së bashku me Rektorin e Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Prof. Arben Gjata, ku hodhëm një hap të rëndësishëm me firmosjen e marrëveshjes me Universitetin e Bolonjës për diplomat e dyfishta të doktoraturës”, shprehet Kushi në publikimin e saj.
Ajo nënvizon edhe rëndësinë e kësaj marrëveshjeje: “Kjo nismë e frytshme i hap udhën kërkuesve shkencorë dhe doktorantëve tanë për të zhvilluar më mirë kapacitetet e tyre kërkimore-shkencore, si dhe për të thelluar më shumë mundësitë e bashkëpunimit edhe në fushën e shkëmbimeve të studentëve e pedagogëve dhe të partneritetit për programet “Erasmus+”, “Horizon Europe” etj.”, shkruan Ministrja Kushi.
Ndër të tjera, ajo shprehet se: “Si Ministre e Arsimit dhe Sportit, jam me të vërtetë krenare për konkretizimin e kësaj marrëveshjeje, sepse reflekton më së miri objektivin tonë madhor për ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare, me fokus rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, si dhe një lidhje më të ngushtë me nevojat e tregut të punës”.