Kalifornia është gati të zbatojë një urdhër për vaksinim të detyrueshëm të nxënësve të shkollave, duke e bërë atë shtetin e parë amerikan që merr një masë të tillë kundër koronavirusit.
Masa e shpallur të premten mund të nxisë shtete të tjera të bëjnë të njëjtën gjë sikurse bënë shumë prej tyre pasi Guvernatori Gavin Newsom vendosi urdhrin e parë mbarëkombëtar në vend, për ndalim-qarkullimi gjatë ditëve të para të pandemisë.
Zoti Newsom tha se urdhri nuk do të hyjë në fuqi për të gjithë fëmijët derisa qeveria amerikane të ketë përfunduar verifikimin e plotë të të dhënave për vaksinat për të dyja grupmoshat, si për ata nga 12 deri në 15 vjeç edhe ata nga 5 deri në 11 vjeç. Kjo do të thotë se fëmijëve nga klasa e shtatë deri në të dymbëdhjetën (12-15 vjeç), ndoshta do t’u duhet deri në korrik për t’u vaksinuar. Periudha do të jetë edhe më e gjatë për fëmijët e kopshtit deri në klasën e gjashtë (5 deri 11 vjeç), sepse agjencitë qeveritare nuk e kanë miratuar ende vaksinën për këtë grupmoshë.
Ligji i Kalifornisë kërkon që të gjithë fëmijët e regjistruar në shkollat publike dhe private të kenë kryer 10 vaksina, përjashtuar rastet kur ato nuk bëhen për arsye mjekësore. Për vaksinën e koronavirusit, Kalifornia do të pranojë përjashtime për arsye mjekësore, fetare e personale. Udhëzimet mbi këtë përjashtime do të shkruhen pasi zyrtarët e këtij shteti të zhvillojnë dëgjesa publike. Çdo nxënës i cili nuk përjashtohet nga vaksinimi, e që refuzon ta marrë atë, do të detyrohet të kryejë studime të pavarura nga shkolla, në shtëpi.
Urdhri për vaksinim të detyrueshëm pritet të prekë më shumë se 6.7 milionë nxënës të shkollave publike dhe private në shtetin më të populluar të vendit. Kalifornia zbaton aktualisht edhe një urdhër për vendosjen me detyrim të maskave në shkolla./VOA/