Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka marrë pjesë në konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Kryeparlamentarja foli për të ardhmen e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian dhe hapat e zgjerimit. “Ne po mbajmë rradhën para portave të BE-së, e cila duhej të ishte prej kohësh, edhe shtëpia e jone”, tha Nikolla.

Fjala e plotë e kryeparlamentares Nikolli:

I nderuar drejtues i seancës, Të nderuar kolege e kolegë, E ardhmja jonë, si evropianë, do të jetë më e mirë, nëse ne do të kontribuojmë të ngushtojmë disa prej asimetrive të zhvillimit të kontinentit. Prej më shumë se shtatë dekadash, më 1949, Europa po bashkohet familjen e madhe, Këshillin e Evropës, i cili na ka mbledhur sot këtu. Një vit më vonë, Evropa filloi të ndërtojë shtëpinë e saj të përbashkët, e cila sot ka marrë emrin kuptimplotë, Bashkimi Evropian. Sot po konstatohet ende një distancë midis këtyre dy organizatave të mëdha europiane. Ndërsa Këshilli i Evropës, Familja evropiane,është zgjeruar në 47 anëtarë, në Shtëpinë evropiane, pra Bashkimin Europian, kanë hyrë deri tani vetëm rreth gjysma e tyre.

E ardhmja e qytetarëve evropianë do të jetë ajo që dëshirojmë e ëndërrojmë, atëherë kur në shtëpinë evropiane do të hyjnë të gjithë kombet që përbëjnë familjen evropiane. Vlerat rreth të cilave, ne kombet evropiane, jemi bashkuar në Këshillin e Europës, nuk mund të jetërsohen nëse politikat e zgjerimit të BE-së do të nisen jo nga meritat, por nga ambicje të tjera, të cilat përfitojnë nga parimi i konsensusit. Këshilli i Europës do të mbetet i paplotë, derisa të pranojë Kosovën, shtetin më të ri të Europës, nje shtet i ri , i krijuar nga Europa atlantike, bashkë me aleatët strategjjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asimetria tjetër lidhet me gjendjen e sotme në Bashkimin Europian dhe ngurrimet në hapat e zgjerimit. Po hyjmë në dekadën e katërt të valës së demokratizimit në kontinent dhe kufijtë gjeografikë e kulturorë të Europës, janë ende larg kufijve politikë të saj, Bashkimit Evropian. Në emër të së ardhmes së përbashkët të qytetarëve të saj, Evropa duhet të afrojë kufijtë politikë me kufijtë e saj gjeografikë.

Një pjesë e kontinentit, që para rënies së Murit të Berlinit quhej Europa Qendrore e Lindore, edhe pse me shpejtësi të ndryshme, u integrua gradualisht në BE. Pjesa që mbeti jashtë, erdhi duke u rrudhur, në fillim Ballkani, dhe sot nënë atë që të gjithë e quajmë Ballkani Perëndimor. Si kryeparlamentare, por edhe si qytetare e njerit prej këtyre vendeve, dëshiroj të ngre shqetësimin se termi Ballkani Perëndimor, nga një term gjeografik, ka marrë sot një konotacion të qartë politik, disa herë edhe negativist. Dhe kjo ndodh ngaqë politikat e zgjerimit nuk kanë mundur të kapërcejnë dot pengesat e paragjykimet për vendet tona. Ne po mbajmë radhën para portave të BE-së, e cila duhej të ishte prej kohësh, edhe shtëpia e jone. Duhet ta kuptojmë të gjithë se Ballkani Perëndimor është një vlerë e shtuar dhe jo një problem i shtuar i Bashkimit Evropian. Ne do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë nëse do të do të kontribuojmë që kontinenti ynë të zbusë këto asimetri. Të bashkëpunojmë për një kontinent që u takon njëlloj të gjithë banorëve të tij. Ku termat “Evropa Jug-Lindore” dhe “Ballkani Perëndimor” do t’i takojnë vetëm historisë.

Ku mozaiku etnik e fetar do të jetë një pasuri e jo një burim grindjesh e konfliktesh. Kjo është Evropa që meritojnë qytetarët e saj, qytetarët tanë.
Ju faleminderit.