Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin vijojnë kontrollet intensive, duke evidentuar dhe ndëshkuar drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, pa vendosur rripin e sigurimit, që kryejnë parakalime të gabuara apo përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit. “Gjatë 48 orëve të fundit janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 1456 drejtues mjetesh, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë. Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve permanente janë evidentuar dhe ndëshkuar 2340 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore”, bën të ditur Policia.
Po ashtu, janë pezulluar 77 leje drejtimi, nga të cilat 41 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 32 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt. Nisur nga fakti se në fundjavë akset rrugore në drejtim të zonave turistike kanë fluks të shtuar dhe prezencë të lagështirës në rrugë, Policia e Shtetit informoi se ka marrë masa shtesë për të monitoruar qarkullimin e automjeteve.