Akademia politike e Partisë Socialiste do të ngrihet bashkë me fondacionin “Friedrich Ebert”. Kryeministri Edi Rama deklaroi në ceremoninë e përvjetorit të tij, se kjo akademi do edukojë të rinjtë për rëndësinë që ka politika në jetën e tyre dhe nuk do fokusohet në edukim partiak.
“Sot kemi pasur një bisedë për akademinë tonë politike së bashku me Ditmirin, që do ta ngrenë së bashku me fondacionin. Fondacioni do jetë përsëri me ne në këtë nismë të re. Ndërkohë që diskutojmë për tema të rëndësishme që nga ngrohja globale që janë tema të lidhura me familjen tonë politike në Europë dhe botë, harrojmë që projektet, programet, energjitë që angazhohen për të punuar me këto tema dhe për të sensibilizuar publikun, janë të destinuara të marrin mbrapsht vetëm një pjesë të vogël te investimi për sa kohë ne nuk investohemi te edukimi politik i të rinjve.
Nuk kam parasysh edukim partiak. Kam parasysh edukimin me idenë që pa politikën, të gjitha sforcot janë të destinuara të mos nxjerrin më të mirën. Rënia e idesë që politika na duhet, është baza e një dështimi të paralajmëruar. Pa politikën dhe pa përmirësuar edukimin e të rinjve do e kemi të vështirë. Natyrisht akademia jonë politike është pikë uji në oqean. Duam ta bëjmë këtë përpjekje dhe të bëjmë forcat me fondacionin për të ndihmuar vajza dhe djem të rinj që janë të ditur, dhe të prirur ndaj aktivizmit që të kuptojnë që politika është instrument që iu vlen atyre për kauzat e tyre”, deklaroi Rama.