Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti kryesuesen e radhës së OSBE-së dhe ministren e Jashtme të Suedisë, Ann Linde.
Nikolla e falënderoi Ann Linde për mbështetjen që Suedia i dha Kryesisë shqiptare të OSBE-së si edhe vetë organizatës, si edhe vlerësoi punën e Kryesisë suedeze në kryesimin e OSBE-së vitit 2021, nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit, për një Europë më të qëndrueshme e të sigurt.
“Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë Kuvendi, do të vazhdojnë bashkëpunimin e suksesshëm me OSBE-në për avancimin dhe thellimin e reformave, përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve, konsolidimin e institucioneve demokratike, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, promovimin e qeverisjes së mirë dhe forcimin e shoqërisë civile. Me opozitën në Kuvend, si një aset i demokracisë dhe i parlamentit, do të thellojmë bashkëpunimin duke zgjeruar aksesin e saj për të kontribuar në avancimin e reformave”, vuri në dukje Nikolla.
Nikolla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vendosur të Suedisë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe çeljen e negociatave.
Ann Linde e uroi kryetaren e Kuvendit, Nikolla, për zgjedhjen dhe shprehu vendosmërinë e OSBE-së për të bashkëpunuar me Shqipërinë për avancimin e tre prioriteteve të Organizatës: siguria, demokracia e sundimi i ligjit dhe barazia gjinore. Është e rëndësishme që opozita është në Kuvend dhe të gjitha palët shprehin perspektivën dhe qëndrimet e tyre, nëpërmjet dialogut politik dhe respektimit të qëndrimeve e vlerësimeve të ndryshme.
Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetarët e Kuvendit, Ermonela Felaj dhe Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj dhe Felaj shprehën qëndrimet e tyre mbi zgjedhjet e 25 prillit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.