Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka foluar gjatë një konference për mediat për dialogun dhe një takim të mundshëm me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
Kurti tha se ky takim varet nga BE-ja. Më tej, Kurti theksoi se takimi mes përfaqësuesve të dy vendeve mund të ndodhë gjysmën e dytë të nëntorit.
“Takimi do të mund të ndodhte diku në gjysëmën e dytë të nëntorit sa i përket përfaqësuesve të dy shteteve tona ndërkaq sa i përket udhëheqësve të shteteve nuk ka ndonjë datë për këtë gjë por kjo varet në masë të madhe prej lehtësuesit gjegjësisht prej Përfaqësuesit të Lartë Josep Borell dhe Emisarit të tij Lajçak”, tha Kurti.
Kurti tha se bllokimi i boksierëve të Kosovës nga Serbia për të marrë pjesë në kampionatin botëror shfaqi fytyrën e vërtetë të Serbisë.
“Së pari me bllokimin që ua bëri boksierëve tanë Serbia në kufi e shpërfaqi fytyrën e saj si shtet për ata që kanë pasur dilema. Të gjitha këto çështje do të adresohen në Bruksel sepse ne jemi vazhdimisht në komunikim me ta përmes letrave që ua dërgojmë”, tha ai.
Këto deklarata Kurti i bëri në konferencën e përbashkët me ministrin e Bujqësisë, Faton Peçi.